Grup ekspertësh të BE, kontroll për sigurinë në portin e Vlorës
Një grup ekspertësh të Agjencisë së BE- së, FRONTEX për koordinimin e operacioneve për menaxhimin e integruar të kufijve në vendet që aplikojnë për liberalizimin e vizave, zhvilloi dje një vizitë në pikën kufitare në portin e Vlorës. Drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit të qarkut të Vlorës, drejtues Myzafer Elezi, i njohu ata me kushtet dhe standardet e sigurisë në pikën kufitare të portit, si dhe me nivelin dhe punën që bëjnë efektivat për t'iu përgjigjur detyrave në rritje.
Ekspertët e FRONTEX u njohën nga afër me sistemin e sigurisë, që funksionon në pikën kufitare të portit të Vlorës, me mjetet logjistike, me nivelin dhe përdorimin e tyre nga personeli, me kualifikimin e tij, si dhe me shkallën e bashkëpunimit me doganën dhe agjencitë e tjera, që operojnë në port. Sipas Elezit, në pikën kufitare të portit të Vlorës aplikohen standardet bashkëkohore të sistemit të kontrollit, i cili është i kompjuterizuar dhe i kompletuar me elementët e nevojshëm që përdoren në praktikën bashkëkohore për bllokimin e tentativave të trafikimit të drogës, në hyrje daljet e pikave të kontrollit kufitar. Në sistemin kompjuterik TIMS në portin e Vlorës janë regjistruar krahas të tjerash të gjithë personat e shpallur në kërkim nga Interpoli Ndërkombëtar, automjetet e vjedhura dhe pasaportat e trafikuara në vendet e BE- së. Përmes tij, mund të identifikohen dhe të përcaktohen të gjitha tentativat e falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, që nevojiten për kalimin, apo për qëndrimin në shtete të tjera. Elezi shtoi se të gjitha praktikat në pikën kufitare të portit të Vlorës kryhen aktualisht nga grupe ekspertësh.