Braçe: 2.5 milionë euro në minutë për zv/ministrat
Deputeti socialist, Erjon Braçe, bëri dje publik bilancin e kostos që u takon qytetarëve shqiptarë për të paguar numrin e madh të zëvendësministrave. Ligjvënësi socialist ka denoncuar qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha, që për shkak të zgjedhjes së saj, po shpenzon pa moral gjithnjë e më shumë të ardhura për të shpërblyer aleatët e saj me poste shtesë të zëvendësministrave. Deputeti Erjon Brace tha se kjo çetë njerëzish, po u kushton shumë shqiptarëve në këtë kohë krize. “Për shkak të vendimmarrjes politike ne kemi sot 35 zëvendësministra, më shumë se në çdo vit e qeveri që prej vitit 1912, në një strukturë ekstremisht jonormale, jofunksionale po aspak shërbyese”, tha Braçe ndërsa përmendi më tej numrin e zëvendësministrave për çdo dikaster.
Në Ministrinë e Jashtme ka dy zëvendësministra, dy edhe në Ministrinë e Integrimit, në Ministrinë e Bujqësisë ka tre, edhe në Ministrinë e Mbrojtjes ka tre zëvendësministra, dy në Ministrinë e Drejtësisë, dy edhe në Ministrinë e Financave, tre në Ministrinë e Ekonomisë. Në Ministrinë e Transporteve ka tre zëvendësministra, dy në Ministrinë e Punës, në Ministrinë e Arsimit dy zyrtarë të këtij niveli, tre në Ministrinë e Kulturës. Në Ministrinë e Shëndetësisë janë dy zëvendësministra, tre në Ministrinë e Mjedisit, në Ministrinë e Bujqësisë janë dy dhe një zëvendësministër të Ministrit të Shtetit. Braçe i cilësoi një çetë me njerëz politikë e të paaftë, të papërshtatshëm e dallkaukë. Një çetë që, sipas tij, kushton shumë por që e paguajnë qytetarët shqiptarë, me qindarkat e tyre të krizës. “140 milionë lekë në muaj. 1,6 miliardë në vit (rroga, sigurime, dieta, ndihmës, këshilltarë, makinë, telefon) për këta 35 vetë”, tha ai, ndërsa llogariti se sa i kushtojnë këto për një muaj të papunëve apo pensionistëve. Në llogaritë e deputetit socialist shqiptarët paguajnë sot, 2.3 euro çdo minutë vetëm për 35 zëvendësministrat, plus të tjera euro që paguajnë për 16 ministrat që kanë e që nuk shërbejnë. “Kjo është fatura që shqiptarët paguajnë për marrëveshjen me përqindje të Saliut me Ilirin, me Fatmirin, me Spiron, me Ekremin, me Arjanin, me Neritanin, me Lufterin, madje edhe me Adriatikun”, tha Braçe.
#