E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Transparencë vote ose mosnjohje e zgjedhjeve

15/07/2009  Socialistët nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre mbi procesin

“Ne kemi fituar kauzën, Berisha po vjedh votat e PS-së”

Transparenca mbi votat në Qarkun Berat, Shkodër dhe Tiranë do të kushtëzojë qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. E thënë për disa ditë me radhë, ashtu sikundër u theksua edhe dje, socialistët nuk lëkunden nga ky qëndrim, duke i mëshuar me forcë kushtit të tyre. Për më tepër, nuk kursejnë akuzat dhe kritikat ndaj drejtuesve të së djathtës dhe KQZ-së. “Ne kemi fituar kauzën, i kemi treguar gjithë Shqipërisë dhe ndërkombëtarëve se Sali Berisha na vodhi për 5 ditë mandatin e Fierit dhe po bën prej 14 ditësh të njëjtën gjë me mandatin e Beratit”, - u shpreh kandidati për deputet i PS-së Erion Braçe gjatë një komunikimi me mediet. Duke u ndalur në vendimin e KQZ-së ndaj kërkesës së PS-së për Beratin, Braçe vuri në dukje se “në të gjithë përpjekjen për reformën zgjedhore, të sanksionuar në nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor, ky garant për procesin zgjedhor është më i rëndësishmi. Ky garant është detyrues për KQZ-në, pa votim dhe jo nën çmimin e kryetarit apo anëtarëve të Sali Berishës në KQZ. Ky garant u shfuqizua dje me dhunë nga keqbërës historik, mes të cilëve edhe kryetari i KQZ-së Arben Ristani, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në dhunim flagrant të vullnetit të qytetarëve të Beratit”. Sipas tij, PS-ja është e vendosur t’i kërkojë Kolegjit Zgjedhor të rivendos këtë garant të votës së lirë në përdorim sa më parë, me qëllim që çdo votë e qytetarëve të Beratit e numëruar dhe e vlerësuar në të zezë të dalë në dritën e diellit e të materializojë plotësisht vullnetin e qytetarëve beratas. Nga ana tjetër, përfaqësuesi socialist paralajmëroi se “jemi të vendosur të mos njohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve pa u bërë transparente çdo votë e hedhur në Berat, Tiranë e Shkodër”. Ndërkohë në kundërvënien e tij Braçe nuk harroi të përfshinte dhe lidershipin e LSI-së. “15 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, për shkak të vullnetit antiligjor dhe antikushtetues të Sali Berishës, kulturës së tij kriminale në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut, aleancës së pacipë, të qëllimshme, të provuar dhe dje në KQZ mes tij dhe Ilir Metës për të diktuar rezultatin e zgjedhjeve në kushtet e krizës që i ka kapur, shqiptarët nuk kanë dhe nuk do të kenë të materializuar në rezultatin zgjedhor vullnetin e tyre të shprehur më 28 qershor”, - deklaroi Braçe gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›