Brazili në kaos

Ish-ylli brazilian, Romario ka kritikuar sërish përgatitjet e shtetit të tij për Kampionatin botëror 2014 duke thënë se frikësohet nga turpërimi i nikoqirit nëse nuk përshpejtohet puna në renovimin e aeroporteve.
Tani kongresist, Romario ka thënë se është i sigurt se do të ketë shpenzime shtesë në shumë prej 12 stadiumeve të Kampionatit botëror dhe se shteti do të “plaçkitë” fondet publike duke përdorur si arsyetim organizimin e garës.
Gjatë një interviste me rrjetin Bandeirantes, Romario tha se “kaosi” do të mbizotërojë në aeroportet e Brazilit gjatë Kampionatit botëror, nëse renovimi i tyre nuk fillon sa më parë që është e mundur.
“Do të turpërohemi me aeroportet tona këtu në Brazil, nëse puna e nevojshme nuk fillon së shpejti. T’ua them të vërtetën, jam duke u munduar të qëndroj pozitiv dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë. Por, e shohim se çka ndodh gjatë pushimeve të gjata dhe nuk do të jetë më ndryshe as gjatë Kampionatit botëror”, tha ai.
Përveç Romarios, edhe Pele ka kritikuar Brazilin për shkak të gjendjes së aeroporteve. Aeroportet shtetërore gjenden në vështirësi të përmbushin kërkesat e mëdha të sjella nga ekonomia e Brazilit, qeveria dhe organizatorët – përfshirë FIFA-n – që vazhdimisht kanë thënë se transporti do të jetë brenga kryesore në Botërorin 2014.
Romario ka thënë se është i brengosur edhe me shpenzimet e tepërta dhe keqpërdorimin e fondeve publike në shumë prej stadiumeve që do të jenë nikoqire të ndeshjeve më 2014 dhe Kupën e Konfederatave 2013.
“Kam qenë në 12 shtete nikoqire dhe fatkeqësisht shumë prej stadiumeve do të mbeten për t’u përfunduar vetëm një vit para fillimit të garës, sepse atëherë do të karakterizohen si punë emergjente. Pastaj, qielli do të jetë kufi, ju mund të paramendoni çmimet që do të shfaqen në shumicën e këtyre stadiumeve. Ata do të plaçkitin pa turp”, shtoi ai.
Romario nuk precizoi se kujt i referohet kur përdori termin “plaçkit”. Vitin e kaluar, pas vizitës së tij në njërin prej qyteteve nikoqire, Romario kishte thënë se ishte i dëshpëruar nga ajo që pa dhe priste “probleme” për Brazilin në organizimin e Kampionatit botëror. Ai po ashtu kishte thënë se Brazili “nuk do të jetë nikoqiri më i mirë i një Botërori”. Brazili e fitoi të drejtën e nikoqirit më 2007.