E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braziliani Kaka eshte shume prane Paris Sen Zhermenit

Një gjë e tillë edhe pritej, sidomos pasi Karlo Ançeloti e deklaroi hapur dashurinë e tij për këtë futbollist. Ylli brazilian, Kaka, me gjasa thuajse të sigurta do të kalojë tek Paris SG dhe mediat bëjnë me dije se ai ka rënë dakord me klubin francez.
Trajneri i ri i PSG-së, Ançeloti, u shpreh qartë për Kakanë në vend të Bekamit dhe ish-lojtarit të Milanit natyrisht që i pëlqeu ky vlerësim dhe shprehje besimi.
Sheikët e Parisit tani duhet të bindin bosin e Realit të Madridit, Florentino Perez dhe trajnerin e tij, Zhoze Murinjo, pasi oferta e parë franceze prej 25 milionë eurosh u hodh poshtë.
Gjithsesi, përfundimi duket pranë, pasi Kaka nuk duket se bën pjesë në planet e Murinjos dhe lojtari ndodhet në një moshë të tillë që ka nevojë të luajë më shumë sesa të rrijë në stol dhe të festojë për trofetë që mund të fitohen.
Ndoshta 30 milionë euro do të mjaftonin për të marrë miratimin e Realit, i cili e bleu Kakanë 67 milionë euro nga Milani në vitin 2009, por duke mos e parë kurrë në formën më të mirë.
Ndërkaq, Paris SG është ambicioz edhe për më shumë përforcime, pasi në planet e Ançelotit janë edhe lojtarë të tjerë. Francezët vazhdojnë këmbënguljen për Karlos Tevezin, duke ofruar të paktën 35 milionë euro për kartonin e sulmuesit të Sitit, ndërsa pritet një sulm edhe për Tiago Motën e Interit. PSG mendon se 8 milionë euro do të mjaftonin për ta marrë. Klubi francez është kryesues i kampionatit francez dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve, ndaj edhe do të jetë më e lehtë të afrohen lojtarë të shquar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›