PS, Ulqini: Interpelance me Fatos Bejen, per diplomat 3-vjecare

Tiranë, 6 Shkurt, 12:50, NOA - Partia Socialiste kërkon interpelancë me Ministrin e Arsimit, për studentët që mbaruan 3-vjeçarin. Deputeti i PS-së, Musa Ulqini e bëri të ditur sot këtë kërkesë dhe tha se, “në agjendën e qeverisë Berisha, gjithnjë e më shumë mungojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve, sepse qeveria ka humbur aftësinë për të dëgjuar, pasi të gjithë sensorët e saj institucional punojnë vetëm për të vjedhur e jo për të shërbyer”.
“Ministria e Arsimit, përgjegjëse për të zgjidhur edhe problematikën universitare, pasi ka shkaktuar një revoltë studentore lidhur me zhvleftësimin total të diplomave, nuk angazhohet të zgjidhë problemin, por i nxjerr studentët nga auditorët në rrugë”, tha Ulqini.
Sipas tij, edhe pas tre javësh mijëra studentë të Universitetit të Tiranës nuk marrin qoftë edhe një gjysmë faqe përgjigje për kërkesat e tyre si minimum për të drejtën e tyre që pas studimeve të larta të kenë një diplomë sipas ligjeve në fuqi.
“Është e pafalshme që Zëvendës Kryeministri aktual, në rolin e ish Ministrit të Arsimit, shkaktar i gjithë këtij akti të zhvleftësimit të diplomave, nuk angazhohet të zgjidhë problemin, por harxhohet të bëjë avokatinë e familjes Berisha, e vënë në qendër të akuzave edhe nga ndërkombëtarët”, shtoi në deklaratën e tij, deputeti socialist.
“Në qoftë se sot shqiptarët kanë një mijë e një probleme, një nga problemet më shqetësuese është edhe arsimi. Nëse kemi tre vjet që shpërndajmë me bollëk "Diplomat e papunësisë", me zhvleftësimin e fundit që po u bëjmë atyre, kemi nisur procesin e ri të shpërndarjes së "Diplomave të varfërisë".
Nisur sa më sipër Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i jep gjithë mbështetjen protestës së studentëve, si rruga e vetme për të fituar të drejtën ligjore, në kushtet kur qeveria nuk do të dëgjojë”, shtoi ai.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të fillojë javën e re të punës me kërkesën që Ministri i Arsimit të përgjigjet përpara Kuvendit, për këtë akt antiligjor dëmsjellës për të ardhmen e mijëra studentëve shqiptar”, përfundoi deklaratën e tij, deputeti i PS-së, Musa Ulqini.
c.a/NOA