“Opozita të bëhet pjesë e reformave dhe votimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar”
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu pret delegacionin për zgjerimin në BE
Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, priti dje delegacionin për zgjerimin në BE, të drejtuar nga shefi i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, Vasilis Maragos. Gjatë takimit Bregu kërkoi angazhimin e opozitës për përfundimin e planit të veprimit për plotësimin e 12 kritereve të kërkuara nga Komisioni Europian, teksa nënvizoi se reformat dhe votimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar është angazhim i përbashkët i të gjitha forcave, duke shpresuar në bashkëpunimin e opozitës.
Ministrja Bregu shtoi se vendi ka humbur shumë kohë për shkak të bojkotit të opozitës prandaj duhet të rikuperohet koha e humbur.
"Shpresojmë që me marrëveshjen e nëntorit të rikuperojmë kohën e humbur prej dy vjetësh, duke i qëndruar angazhimit të përbashkët dhe duke shpresuar që deri në fund të procesit të ketë një angazhim serioz të opozitës", tha Bregu.
Sipas ministres, Plan-Veprimi për Integrimin e vendit në BE është instrument bashkimi, për të realizuar edhe interesin e shqiptarëve për bashkim sa më të shpejtë me familjen e madhe Europiane.
Nga ana e tij shefi i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, Vasilis Maragos, nënvizoi se Shqipërisë i duhen vendime politike dhe zbatime në terren me synim që të arrihet marrja e statusit të vendit kandidat për në BE.
Maragos kërkoi angazhim nga të gjithë për reformat.
Sipas Maragos, standardet janë të larta dhe BE është gati të jetë e drejtë.
Ndërkohë Plani i ri i veprimit për plotësimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për vendin tonë pritet të jetë sot në qendër të zhvillimeve politike, teksa, përveç takimit mes ministres Majlinda Bregu dhe shefit të njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, Vasilis Maragos, po sot, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha do të mbledhë Komitetin Ndërministror për Integrimin.
Ndërsa një ditë më parë plani i ri i veprimit për plotësimin e 12 rekomandimeve të KE-së është debatuar gjatë në Komisionin Parlamentar të Integrimit në një seancë maratonë.