E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda javës shpallen rezultatet e Letërsisë

Vlerësimet e provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore pritet të dalin këtë fundjavë. Sipas Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) bëhet me dije se në procesin e vlerësimit të provimeve të maturantëve për lëndën e Letërsisë janë angazhuar gjithsej 155 mësues të shkollave të mesme. Ata janë grumbulluar në katër qendra vlerësimi, tri prej të cilave në rrethe. Sipas AVA-s, kjo është dhe risia për këtë vit, që tri qendra janë vendosur jashtë Tiranës, ndërsa, qendra e vlerësimit në Tiranë është përqendruar në shkollën "Sabaudin Gabrani", nën masa tejet të rrepta të sigurisë. Kjo është edhe qendra kryesore e vlerësimit të testeve. Por ashtu si në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, edhe në qendrat ku vlerësohen provimet, forcat blu nuk largohen për asnjë minutë. Gjithashtu, çdo mësues e ka të përcaktuar numrin e testeve që do të vlerësojë. Këtë vit korrigjuesit e provimeve janë ndarë në dy dhoma të ndryshme dhe pasi një grup mbaron korrigjimin e testeve, menjëherë këto teste kalojnë dhe një herë për t’u rikorrigjuar nga grupi tjetër i korrigjuesve. Në rastet kur nga vlerësimi i parë në të dytin vihet re një diferencë pikësh, atëherë situatën e merr nën kontroll një komision i vogël ose grupi përgjegjës, që gjendet në çdo qendër. Atëherë, ky grup ribën vlerësimin final të testit dhe përcakton në mënyrë përfundimtare notën për këtë provim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›