E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët mbetës përjashtohen nga universitetet



Të gjithë maturantët të cilët mbesin për vjeshtë në provimet e Maturës Shtetërore nuk do të kenë mundësi të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Data 10 korrik është caktuar si e vetmja ditë në të cilën do të zhvillohet provimi i lëndëve me zgjedhje. Ata nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë por shkollë të lartë, pasi nuk kanë shlyer akoma detyrimet me shkollën e mesme. Në ndryshim nga vjet, maturantët e sivjetshëm, nëse rezultojnë mbetës, nuk do t’u jepet mundësia për të provuar aftësitë e tyre për të fituar shkollën e lartë. Atyre do t’u duhet të bëjnë pushim një vit dhe më pas të provojnë sërish fatin e tyre vitin tjetër.

Klasa e 9-të, stazh 1 vit nëse ngelin në vjeshtë

Nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm, që do të rezultojnë mbetës pas provimeve të vjeshtës, do të kalojnë në stazh për një vit, bëjnë të ditur burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Sipas këtyre burimeve, për këtë kategori nxënësish, viti shkollor 2008-2009 nuk do të nisë nga viti i parë gjimnaz, por nga i dyti, në pritje të brezit të parë që përfundon klasat e nënta. Por, për të mos humbur të drejtën për arsim të mesëm, ministria ka vendosur t'u ofrojë disa alternativa shkollimi nxënësve që kalojnë në stazh.

Ndërkaq, nxënësit që kërkojnë të kalojnë në shkollat profesionale apo të natës, duhet të kryejnë ekuivalentimin e provimeve, duke kaluar automatikisht në vitin e dytë të shkollës së mesme. Të gjitha këto ndryshime po bëhen në bazë të reformës në arsimin parauniversitar, si rrjedhojë e kalimit nga arsimi tetëvjeçar në nëntëvjeçar dhe kalimit të arsimit të mesëm në sistem 3-vjeçar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›