Djegia me benzinë e lokalit në Xhafzotaj, për motive pronësie
Djegia e një lokali dhe për pasojë edhe e dy flamujve në një lokal në Xhafzotaj ka ndodhur për konflikte të brendshme pronësie mes familjarëve të familje Mema. Shkak është bërë qiraja e ulët e lokalit, fakt për të cilin fëmijët e pronarit të lokalit, Hysen Mema, nuk kanë qenë aspak dakord. Kjo solli edhe reagimin e njërës prej vajzave të Memës, e cila ka spërkatur me benzinë derën e lokalit dhe më pas i ka vënë flakën në shenjë hakmarrjeje. Por, menjëherë PS i ka dhënë konotacion politik kësaj ngjarjeje, duke akuzuar PD-në se ka sulmuar shtabin e tyre dhe i ka vënë flakën. Por, deklarimet e Blendi Klosit do të përgënjeshtroheshin nga deklarimet e vetë familjarëve të pronarit të lokalit dy ditë më pas, të cilët gjatë marrjes në pyetje, kanë deklaruar se nuk kanë qenë aspak dakord me shumën me të cilën babai i tyre e ka dhënë me qira lokalin, pronë e përbashkët. Lokali i ishte dhënë me qira kreut të PS-së për Xhafzotajn, për përdorim gjatë fushatës elektorale. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga burime zyrtare policore, të cilat bëjnë të ditur se detaje më të hollësishme do jepen në vijim të procesit hetimor.
Hetimi
Djegia e flamujve të Partisë Socialiste në qendrën elektorale të këtyre të fundit në Komunën Xhafzotaj në Shijak ka ardhur si pasojë e një konflikti ndërmjet pjesëtarëve të familjes, që kishin në pronësi lokalin. Pas fillimit të hetimit nga ana e policisë dhe prokurorisë u arrit të vërtetohej se vlera e ulët e parave, që do të merreshin nga dhënia me qira e lokalit, kanë shtuar debatet brenda familjes dhe kanë degjeneruar në këtë ngjarje, së cilës menjëherë iu dha një konotacion i theksuar politik dhe me akuza të rënda për Partinë Demokratike, duke e akuzuar këtë të fundit për sulme ndaj opozitës. Por, sipas burimeve nga policia, duket se gjakrat e nxehura midis pjesëtarëve të familjes Mema kanë qenë arsyeja e vetme e këtij veprimi. Ngjarja ndodhi në datën 2 qershor, në orët e vona të mbrëmjes. Me fillimin e fushatës elektorale, lokali në këtë komunë u mor me qira nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste, Rifat Rexhepi, me qëllim përdorimin e tij për fushatë gjatë muajit qershor.
Debatet
Vendimi për ta dhënë atë me qira është marrë nga shtetasi Hysen Mema, i cili ka arritur një marrëveshje me kryetarin e PS-së për këtë komunë. Por, kur vendimi i marrë është diskutuar në shtëpi, duket se kjo nuk ka hasur në miratimin e vajzës së tij. Mosmarrëveshja midis tyre ka qenë për shkak të çmimit të ulët të qerasë që familja do të merrte. Kërkesës për rritje të qirasë, kryefamiljari Mema i është përgjigjur negativisht. Me gjithë debatet e forta midis të dyve, sërish nuk është arritur që të binin në marrëveshje. Në këto momente, vajza i ka deklaruar të atit se ajo nuk kishte për ta lejuar një gjë të tillë. Dhe reagimi ka ardhur në orët e vona, kur ajo ka marrë një sasi lënde djegëse dhe ka shkuar në vendin ku ndodhej lokali. Aty ajo ka spërkatur lëndën djegëse dhe më pas i ka vënë flakën. Për pasojë u dogjën pjesërisht dy flamujt e PS-së dhe u tymos pjesërisht edhe qepeni i lokalit. Menjëherë u njoftua policia, e cila shkoi në vendngjarje. U krijua një grup pune për të hetuar shkaqet e ngjarjes. Për Partinë Socialiste ky ishte një sulm i rëndë, i cili bëhej nga persona militantë të papërgjegjshëm, ndërsa, realisht, pas përfundimit të hetimeve nga ana e policisë dhe prokurorisë, autorët e saj ishin vetë pronarët e lokalit të shndërruar në shtab elektoral, pas një konflikti brenda familjes për qiranë e ulët që ata do të përfitonin.