Libri, pa zhurmë në Prishtinë
Kur të gjithë e shihnin të pamundur se mund të organizohej këtë vit panairi i librit në Prishtinë, lajmërimi ka qenë i papritur. Të paktën kështu është pritur në Tiranë, pasi dje, në Prishtinë është hapur panairi i librit "Prishtina 2009", në të cilin marrin pjesë mbi 100 shtëpi botues, me botimet më të reja nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe më gjerë. Sipas organizatorëve, edicioni i 11-të i këtij panairi ka çuar në Prishtinë mbi njëqind shtëpi botuese me shumë tituj të rinj. Panairi u hap nga presidenti Fatmir Sejdiu, dje në mbrëmje. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Nazmi Rrahmani, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë panair, që do të zgjasë për pesë ditë radhazi. "Kryesisht përgatitjet teknike janë bërë. Organizimi i stendave është në fazën e fundit dhe sot gjatë ditës punohet, kështu që çdo gjë ka qenë në kohën e duhur", - tha Rrahmani. Menaxheri i panairit, Behxhet Bici, tha se në këtë panair do të marrin pjesë mbi njëqind shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe nga vende të tjera. Panairi i cili mbahet nga 3 deri më 7 qershor, do të ketë zbritje deri 20 për qind.