E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: OSBE ka kërkuar hetim të plotë të zgjedhjeve, por pa kuti

Deputeti demokrat thekson se ndërkombëtarët mbështesin mazhorancën

Partia Demokratike ka deklaruar dje se komuniteti ndërkombëtar nuk mbështet opozitën, por mazhorancën në kauzën e saj për çështjen e kutive. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, gjatë një konference për shtyp ka thënë se Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, ka kërkuar hetim të plotë por në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Unë jam para jush sot për të garantuar Presidentin Soares dhe Asamblenë Parlamentare të OSBE-së se Partia Demokratike është e gatshme të përmirësojë së bashku me opozitën, të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, si dhe të shqyrtojë të gjitha pretendimet e opozitës të bazuara në fakte dhe prova dhe jo në shpifje. Më duhet të theksoj se deri më sot z. Rama nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme për të faktuar akuzat e tij.

Më pas, Presidenti Soares ju bën thirrje të përsëritura deputetëve që të zënë vendet e tyre në Parlament dhe të pranojnë mandatin e tyre parlamentar. Në fjalën e tij në seancën e hapjes së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Presidenti Soares deklaroi se 6 Marsi është dita e fundit e skadimit të mandateve”, deklaroi Bumçi. Mazhoranca po zhvillon presion të vazhdueshëm para rinisjes së negociatave javën e ardhshme. Vetë deputeti Bumçi e pranoi se Soares ka bërë thirrje për një hetim të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, por sipas tij, hetimi i plotë mund të bëhet edhe pa hapur kutitë. “I bëj thirrje z. Edi Rama të lexojë me korrektësi deklaratën e Presidentit Soares lidhur me komisionet hetimore (po citoj): “Unë mirëpres gatishmërinë e dy palëve për të marrë pjesë në komisionin parlamentar, i cili do të kryejë një hetim të plotë të zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bumçi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›