Dade: Nuk tërhiqemi nga kërkesa për kutitë
Në prag të ardhjes së delegacionit të KiE-s në vendin tonë, Partia Socialiste rikonfirmon qëndrimin e saj për hapjen e kutive të votimit. Deputetja socialiste, Arta Dade, tha se Partia Socialiste do të vazhdojë të këmbëngulë në transparencën e plotë të procesit zgjedhor, për një hetim të plotë, të thellë dhe gjithëdimensional të zgjedhjeve, i cili do të jetë i pakushtëzuar dhe i palimituar në objektin e vet. “Gjithashtu, duke ripërsëritur qëndrimin tonë të njohur, se ne e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht që dhe rezultati i zgjedhjeve i shpallur nga Gjykata Zgjedhore është mbi bazën e shkeljes flagrante të nenit kushtetues, pra të nenit të Kodit Zgjedhor, i cili garantonte mbrojtjen e votës”, tha ajo.
Sipas saj, mbas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, një ekip i së cilës do të vizitojë Shqipërinë, Dade vuri në dukje mbështetjen pa rezerva të grupit socialist dhe demokrat në PE për hapjen e kutive dhe për një investigim të plotë të zgjedhjeve përmes një komisioni parlamentar dhe së fundmi vjen deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, njëherazi dhe organizmi që ka vëzhguar zgjedhjet dhe me raportin e të cilit ka pasur spekulime dhe abuzime. “Z.Soares, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kërkon shprehimisht që përmes një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë në mënyrë të thellë dhe të detajuar gjithë procesin zgjedhor, kuptohet konform Kushtetutës, e cila nuk e pengon këtë lloj hetimi, që transparenca e zgjedhjeve nuk ka sesi të jetë selektive”, tha Dade.
#