E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Falënderoj qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje”

02/07/2009  Kryeministri Berisha

Kryeministri Sali Berisha ka falënderuar publikisht gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në votimet e 28 qershorit. Shefi i ekzekutivit gjatë mbledhjes së qeverisë ka shprehur vlerësimet e tij dhe falënderoi në emër të qeverisë mbi 1 milion e 500 mijë zgjedhës shqiptarë për pjesëmarrjen e tyre të lartë në votime. “Shfrytëzoj këtë mbledhje që në emër të qeverisë t’u shpreh edhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë mbi 1 milion e 500 mijë zgjedhësve shqiptarë, që nderuan në radhë të parë besimin e tyre, veten e tyre, por nderuan edhe vendin dhe shoqërinë shqiptare me pjesëmarrjen e tyre, më të lartën në 13 vjetët e fundit në zgjedhjet e përgjithshme”, - deklaroi kreu i qeverisë. Gjatë mbledhjes së qeverisë Berisha tha se kabineti qeveritar do të vazhdojë me intensitet punën për reformat në vend deri në krijimin e qeverisë së re. Kjo deklaratë falënderimi e Kryeministrit Berisha vjen në unison me qëndrimin e tij të shprehur gjatë ditëve të fundit. Berisha menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit tha se zgjedhjet parlamentare kanë qenë ndër më të mirat, më të lirat dhe brenda standardeve ndërkombëtare. “Në këto zgjedhje nuk ka të humbur, ka vetëm të fituar, sepse Shqipëria europiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. Duke përdorur një gjuhë të qetë, lideri i demokratëve ka përshëndetur të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, të cilët menaxhuan, të paktën sipas të dhënave të deritanishme, një proces zgjedhor dinjitoz, pasi e menaxhuan atë në tërësi në frymën e një bashkëpunimi luajal, bazuar në ligjin konsensual të miratuar nga Kuvendi. Ai ka shprehur falënderimet për të gjithë qytetarët shqiptarë, që e vlerësuan në mënyrën më serioze procesin zgjedhor. Berisha, duke folur në lidhje me vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet, tha se kompetencën e kanë 500 vëzhgues të huaj dhe 5 mijë vëzhgues vendas. “Këto janë zgjedhjet më të vëzhguara në tërë historinë e pluralizmit në Shqipëri”, - deklaroi Berisha. Ai ka vlerësuar gjatë gjithë këtyre ditëve qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen masive në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›