Në kufij, Maqedonia ende nuk heq vizat
Muret e kufijve shqiptarë i mbyllen popullit tonë gjithmonë nga jashtë vendit, edhe pse ne dëshirojmë t’i thyejmë me çdo kusht. Sipas Ministrisë të Punëve të Jashtme, në datën 27 gusht hyri në fuqi marrëveshja midis palës shqiptare dhe maqedonase për qarkullimin e lirë dhe të ndërsjellë të shtetasve të të dyja vendeve në zonat kufitare. Kjo marrëveshje ishte negociuar në fillim të muajit shkurt mes partnerëve shqiptarë dhe maqedonas, ku si konkluzion u miratua ligji për heqjen e regjimit të vizave nga Parlamenti dhe Presidenti maqedonas, Branko Cervenkovski. Por sipas publikimit të djeshëm të agjencisë së lajmeve maqedonase “Makfaks”, “autoritetet kufitare të Maqedonisë i demantuan informatat e publikuara në mediumet shqiptare se prej 1 shtatorit, shtetasit shqiptarë për të hyrë në Maqedoni nuk duhet të kenë viza”. Korrespondenti i “Makfaks”-it informon gjithashtu se një përfaqësues i Policisë Kufitare në vijën e kufirit maqedonaso-shqiptar, "Blato" afër Dibrës, deklaron se “shtetasve shqiptarë edhe më tutje u nevojitet viza për të hyrë në Maqedoni”. Agjencia e shtypit të shtetit fqinj publikon njëkohësisht se shumë shtetas shqiptarë, të cilët ishin informuar nga mediat që nuk ishte më e nevojshme të aplikonin për formalitet e gjata administrative të vizave, kanë tentuar të hyjnë në masë pa viza, por u refuzuan.