E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i shkollave në Durrës, 435 milionë lekë investime për dy vite

>Gjatë periudhës 2 vjeçare 2007-2008, Qeveria shqiptare ka investuar rreth 435 milionë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 13 shkollave në bashkitë dhe komunat e rrethit të Durrësit. Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR), Vasillaq Papaj, tha se tashmë në fshatrat Radë, Kuçok, Shën Vlash, Pjezë, Gjepalaj dhe Rrushkull janë ndërtuar shkolla krejtësisht të reja me financime të qeverisë që shkojnë nga 30-86 milionë lekë. Në zonën periferike të Spitallës, në qytetin e Durrësit, është ndërtuar shkolla e re Neim Babameto, e pajisur edhe me një palestër, me një investim të përgjithshëm 88 milionë lekë. Papaj bëri të ditur se në qytetin e Durrësit janë rikonstruktuar shkollat e mesme sportive Bernardina Qeraxhia, me një financim prej 25 milionë lekësh dhe shkolla e mesme profesionale Beqir Çela, me një fond prej 10 milionë lekësh, ndërsa në Shijak, rikonstruksioni i shkollës "Muharrem Dollaku dhe shtimi i një kati të ri, kanë kushtuar 21 milionë lekë. "Rikonstruksione dhe shtesa kati me vlerë nga 5- 22 milionë lekë janë realizuar edhe në fshatrat Vadardhë, Shkafane, Rrotull dhe Maminas. Në fund të vitit të kaluar kemi paraqitur 16 projekte për rikonstruksione dhe ndërtim të shkollave të reja, të cilat do të shqyrtohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës", theksoi Papaj. Ai shtoi se rikonstruksione dhe ndërtime shkollash të reja ka pasur në dy vitet e fundit në të gjitha bashkitë dhe komunat e këtij rrethi bregdetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›