Mirditë, familja e 9 vjecarit të zhdukur prej 1 jave apelon për ndihmë
>Ka kaluar plot një javë që 9- vjeçari, Olsion Gega nga fshati Dardhaz i Fanit të Mirditës, figuron i zhdukur dhe tashmë të vetmit njerëz që e kërkojnë nëpër pyll janë dhe disa të afërm. Familjarët u bëjnë apel për ndihmë, strukturave shtetërore dhe individëve që mund të kontribuojnë në gjetjen e tij. Fëmija jetim u zhduk papritur kur kishte dalë në bjeshkë për të ruajtur bagëtitë.
Ai nuk u kthye më, ndërsa mungesa u konstatua vetëm në darkë kur nga bjeshka u kthye vetëm xhaxhai, pa nipin. I mituri kishte dalë në pyll pikërisht për të ndihmuar xhaxhanë që ruante bagëtitë, por nuk ishin takuar gjëkundi. Thuajse i gjithë fshati kërkoi për ditë të tëra, por pa rezultat. Më pas u tërhoqën, për të mbetur në kërkim vetëm nëna e tij dhe ndonjë i afërm i familjes. Askush nuk di të thotë për jetën e fëmijës, ndërsa zhdukja mbetet misterioze, pasi është kërkuar thuajse në çdo metër të pyllit nga ku mendohet të ketë kaluar fëmija. Mësohet se fëmija kishte probleme me shqisën e dëgjimit, ndërsa rritej në gjendje të vështirë ekonomike së bashku me tre vëllezërit. Babai i tyre është ndarë nga jeta 4 vite më parë në aksident automobilistik dhe nëna mezi i ushqen me bukë. Fshati Fanë shtrihet në një reliev të theksuar malor, ku i vetmi burim jetese për këtë familje dhe shumë të tjera atje është blegtoria.