E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mercedes-Last Exit Degerloch

Drama me këtë titull, e shkrimtarit nga Kosova, Beqë Cufaj, inskenohet në Teatrin e Stuttgartit, në Gjermani. Nga Express më 10 mars 2011 në ora 17:12

Këto ditë, në Teatrin e Qytetit të Stuttgartit, në Gjermani, ka filluar të inskenohet drama e autorit nga Kosova, Beqë Cufaj, me titullin “Daimler Last Exit Degerloch”.

Pjesa teatrore, e shkruar nga autori Beqë Cufaj, do të vihet në skenën e qytetit gjerman nga regjisori gjerman, Wilfried Alt.

Drama, e cila është një projekt i përbashkët i “Forum der Kulturen der Welt”, i “Laboratorium” dhe i kompanisë gjermane Mercedes, ka për qëllim të merret me 125-vjetorin e shpikjes së automobilit në Gjermani, një vit ky i shpallur jubilar në tërë Bundesrepublik’ën Gjermane.

Një pikë e paikshme në këtë mes luan, sidomos, vetura e tipit Mercedes.
Në qendër të shfaqjes, për të cilin tashmë është shfaqur interesim i dukshëm i botës teatrore gjermane, janë sidomos të huajt në Gjermani, dhe atë përgjatë 5 dekadave me radhë. Në një restorant fiktiv, pranë një pompe benzine, në një autostradë gjermane, një natë dimri takohen të gjithë: humbësit dhe fituesit nga gjenerata gjermanësh, grekësh, turqish, spanjollësh, rusësh, e të tjerësh.

Shfaqja e shkruar në gjuhën gjermane, nga autori Cufaj, do të inskenohet nga 20 aktorë, të cilët të ndodhur mes rënies në kurth në një natë dimri, katastrofës ekologjike, nevojës së njeriut për mobilitet në fshatin global dhe periferisë tragjikomike të rrëfimeve e dialogjeve për jetën e dyfishtë, mes “dy atdheve”, provojnë të japin një panoramë për njeriun e sotëm - mes veturës e mobilitetit, njeriut modern dhe të tashmes e të ardhmes së tij.

Cufaj, i cili shkruan në gjuhën gjermane dhe shqipe, me veprat e tij në skenën letrare e kulturore të Gjermanisë është i pranishëm për më shumë se një dekadë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›