E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana mban ne ankth Shqiperine

Kur ka mbetur rreth një javë nga starti i kualifikueseve të Kupës së Botës, Shqipëria është në ankth. Gjithçka prej dëmtimit të kapitenit Lorik Cana, i cili rrezikon seriozisht të mos jetë në dispozicion të skuadrës për dy ndeshjet e para të Grupit E drejt Brazil 2014.

29-vjeçari ka pësuar një dëmtim në stërvitje gjatë mesjavës dhe pas konsultave me stafin mjekësor të Lacios, po punon i diferencuar. Cana ka probleme në pulpën e këmbës së djathtë dhe si është bërë e ditur nga doktorët e klubit të Serisë A italiane, “lojtari po kryen vetëm ushtrime në pishinë, megjithatë shqetësues është fakti që ai vazhdon të ndiej dhimbje”.

Kjo është arsyeja përse Lorik Cana nuk është grumbulluar nga trajneri Petkoviç për sfidën e kthimit të bardhkaltërve në Europa League kundër Muras. Gjithashtu stafi mjekësor i Lacio ka bërë të ditur që mesfushori rrezikon të mos jetë i gatshëm as për ndeshjen e së dielës në kampionat kundër Palermos së Samir Ujkanit.

Lajmet që vijnë nga përtej Adriatikut rreth kapitenit të Kombëtares shqiptare kanë bërë me dhimbje koke trajnerin Xhani de Biazi. Kjo edhe për faktin se më 7 shtator, kuqezinjtë debutojnë në kualifikueset e Botërorit 2014 në ndeshjen përballë Qipros në Tiranë. Ndërkohë, katër ditë më pas, pra në datën 11, Shqipëria do të luajë në transfertë me Zvicrën.

Dëmtimi i Canës është problematik, pasi ai është lideri i skuadrës jashtë dhe brenda fushës, por fakti që ai mund të mos luajë, ose mund të mos jetë në gjendje optimale është një goditje e madhe për repartin difensiv. Në këtë repart mungojnë edhe Debatik Curri dhe Kristi Vangjeli, ndërsa gjatë miqësoreve përgatitore dyshja e formuar nga Cana dhe Mavraj në qendër të mbrojtjes ka dhënë shumë garanci.

Gjithsesi, për të krijuar një ide më të qartë rreth gjendjes së kapitenit të përfaqësueses do të duhen edhe disa ditë, ndërsa shpresa e të gjithëve është që ai të jetë i gatshëm për të luajtur dhe të ndihmojë Shqipërinë ti nisë në mënyrë sa më të mirë kualifikueset drejt Brazil 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›