E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Meta vendimin e duhur në kohën e duhur

06/07/2009  Aleanca Demokratike

Partia Aleanca Demokratike e ka vlerësuar me nota pozitive bashkëqeverisjen e vendit mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, ka përshëndetur vendimin e lidershipit të LSI-së për t’u bërë pjesë e qeverisë që do të drejtojë vendin së bashku me PD-në në katër vjetët e ardhshëm. Ai e cilësoi këtë vendim si hapin e duhur për të vazhduar një qeverisje që e çon vendin më pranë Europës. “Zoti Meta ka marrë vendimin e duhur në kohën e duhur. LSI-ja ka kohë që lufton për të qenë pjesë e pushtetit, ka shprehur gjithmonë një dëshirë për të promovuar integrimin dhe një kulturë të re në PD, çka do të thotë se nuk e ndan më një hendek të majtën nga e djathta. Besoj se shpreh pjesën më progresiste të së majtës dhe veprimi që ka bërë është krejt në logjikën europiane të koalicioneve”, - ka thënë drejtuesi i AD-së. Duke u nisur nga rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, drejtuesi i Aleancës ftoi Partinë Socialiste të reflektojë dhe “të kuptojë se Lufta Nacionalçlirimtare ka mbaruar me kohë, se e majta progresiste duhet të jetë pjesë e qeverisjes dhe ata që kanë votuar LSI-në kanë pasur parasysh edhe thirrjen që bëri Edi Rama se vota për LSI-në është votë për Berishën”. Ai shprehet besimplotë se qeveria e re do të funksionojë më së miri, pasi brenda vetë kabinetit qeveritar do të ketë një frymë opozitare dhe kështu do të korrigjohen gabimet e vënë në dukje më parë. Ceka theksoi se në këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë pikërisht ato vota që Rama nuk donte t’i jepte asaj. Kryealeancisti Ceka ka ftuar kreun e PS-së Edi Rama që të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij Fatos Nano, duke dhënë dorëheqjen, pasi humbi zgjedhjet. “Të vazhdojë në kulturën demokratike të krijuar nga kryetari i mëparshëm Fatos Nano, që nuk e quante ndonjë tragjedi dorëheqjen”, - tha Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›