E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ do të vendosë për Fierin

06/07/2009  Miratimi i tabelave përmbledhëse rrezikon moshapjen e kutive të 4 KZAZ-ve

Dyshohet se rezultatet e kutive të kontestuara nuk janë përfshirë në tabela

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të përfshihet sot në një debat të ashpër për sa i takon fatit të nëntë kutive të katër KZAZ-ve të qarkut të Fierit, nga hapja e të cilave Partia Socialiste pret të fitojë edhe një mandat. Se çfarë do të ndodhë me kutitë e KZAZ-ve nr. 18, 19, 20 dhe 22, këtë do ta vendosë pikërisht KQZ-ja në mbledhjen e sotme. KQZ-ja para dy ditësh vendosi hapjen e gjashtë kutive të Fushëkuqes, Qarku i Lezhës, numërimi i të cilave nuk solli asnjë ndryshim mandati mes dy koalicioneve.

Dyshimet

Debatet e para konfirmojnë për miratim nga KQZ-ja të tabelave të rezultateve të firmosura nga komisionerët, ku nuk janë përfshirë rezultatet e disa kutive. Sipas nënkryetares së këtij komisioni Dëshira Subashi, KQZ-ja duhet të marrë në shqyrtim këto kuti brenda 48 orësh, afat i cili korrespondon me ditën e sotme. Nënkryetarja Subashi gjatë një prononcimi për mediet deklaroi se në shumë kuti të katër KZAZ-ve komisionerët nuk kanë kryer fare procesin e numërimit, megjithëse këto kuti kanë tabelat përfundimtare, gjë që tregon se ato janë numëruar. “Në këto kushte, subjekti politik i interesuar duhet të ankimojë pranë KQZ-së vendimin e kundërligjshëm të KZAZ-ve. Më pas KQZ-ja voton për të pranuar ose jo ankimimin dhe vetëm në rastin e një miratimi të ankimit ka të drejtën ligjore të numërojë kutitë përkatëse”, - nënvizon ajo. Në këtë mënyrë, kjo nënkupton se kutitë e Qarkut të Fierit kanë shumë mundësi të mos hapen përderisa dokumentacioni zgjedhor, siç parashikon Kodi Zgjedhor, ekziston dhe paraqitet në formën e parashikuar nga ligji dhe vendimet e KQZ-së. Ky vendim, i cili pritet të marrë vetëm votat e mazhorancës, automatikisht do të kalojë për gjykim në Kolegjin Zgjedhor, vendimi i të cilit është i prerë. Të drejtën e ankimimit të vendimmarrjes së KZAZ-ve të Fierit në KQZ apo dhe në Gjykatën e Apelit e kanë edhe subjektet zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore kanë 3 ditë kohë nga dita e miratimit të vendimit për të paraqitur në KQZ ankesat e tyre.

Rezultati

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste kryeson me 8 mandate, Partia Demokratike ka fituar 7 mandate dhe Lëvizja Socialiste për integrim një mandat. Qarku i Fierit është pikërisht qarku që në gjykimin e palëve mund të ndryshojë raportin e mandateve që i takojnë Partisë Socialiste. Pranë KQZ-së që në fillim të procesit zgjedhor janë protokolluar 14 ankesa, nga të cilat 4 ankesa parazgjedhore dhe 10 ankesa paszgjedhore.

Përveç Qarkut të Fierit Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të ankimojë edhe procesin zgjedhor të realizuar në Qarkun Beratit dhe atë të Shkodrës. Ankimime për këto qarqe, para ftesës që Kryeministri Berisha i bëri kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, kishte paralajmëruar edhe kjo forcë politike.

KZAZ nr. 61 s’dorëzon materialet zgjedhore

KQZ propozon ndjekje penale për kryekomisionerin

Komisioni i zonës së administrimit të zgjedhjeve numër 61 në Qarkun Vlorës nuk ka dorëzuar ende pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve materialet zgjedhore, duke rrezikuar në këtë mënyrë përballjen me ligjin. Për këtë gjatë mbledhjes së djeshme ky komision vendosi të urdhërojë këtë KZAZ të sjellë menjëherë materialet zgjedhore së bashku me tabelën përmbledhëse të rezultateve zgjedhore të plotësuar dhe të miratuar. Sipas të njëjtin vendim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që inspektorë të tij të shkojnë pranë KZAZ-së në fjalë për marrjen në dorëzim të bazës materiale të votimit dhe shoqërimin e sjelljen e saj pranë KQZ-së. Komisionarët kanë refuzuar ta sjellin dokumentacionin zgjedhor në KQZ për shkak të mungesës së fondeve për të bërë transportin e materialeve zgjedhore drejt Tiranës. Lidhur me këtë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se ndaj kreut të KZAZ-së nr. 61 do të ketë ndjekje penale. “Në këtë rast se konstatojmë shpërdorim detyre dhe çështja duhet të ndiqet penalisht. Kemi gati kallëzimin penal për kryekomisionerin dhe do ta ndjekim situatën”, - theksoi ai lidhur me këtë çështje. Kjo KZAZ është paraqitur problematike edhe për marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore, transportin e tyre drejt KZAZ-së dhe shpërndarjes së tyre në komisionet e qendrave të votimit. Të njëjtin qëndrim KQZ-ja u mat të mbante për komisionerët që nuk dëgjonin të merrnin në dozim bazën materiale dy ditë para ditës së zgjedhjeve, por ndërhyrja e përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore në këtë komision e sistemoi disi situatën, duke i shpëtua komisionerët nga shkarkimi i tyre. Për këtë qark rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor deklarojnë se koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” ka siguruar 7 mandate dhe koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” 5 mandate.

Vendimi

KQZ miraton rezultatin e Qarkut të Gjirokastrës

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për Qarkun e Gjirokastrës ka marrë edhe miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky i fundit miratoi gatë mbledhjes së djeshme me shumicë votash vendimin për tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut Gjirokastër për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Përfaqësuesit e opozitës në KQZ votuan kundër vendimit për shkak të problematikës së konstatuar në tabelat e rezultateve të KZAZ nr. 25 dhe nr. 27 të këtij qarku. Po sipas përfaqësuesve të mazhorancës, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga çdo KZAZ. Në këtë mënyrë, KQZ-ja miratoi fitoren e dy mandateve nga koalicioni “Aleanca e Ndryshimit” dhe të tri mandateve nga koalicioni “Bashkimi për Ndryshim”. Rezultati i këtij qarku për shkak të votimit të thjeshtë dhe jo të cilësuar, siç e kërkon Kodi Zgjedhor, do të shkojë për vlerësim në Kolegjin Zgjedhor. Së bashku me tabelat përmbledhëse të rezultatit të Qarkut të Korçës dhe Kukësit, miratuar në fundjave, numri i qarqeve për të cilat KQZ-ja ka nxjerrë rezultate zyrtare ka shkuar në 3, nga 12 që janë gjithsej.

Ballagat, zgjedhje të pjesshme

Miratohet kërkesa e PD-PS për pjesëmarrje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje kërkesën e dy subjekteve kryesore politike në vend: Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, për regjistrimin e tyre si subjekte zgjedhore, pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune në Ballagat të Qarkut të Fierit. Zgjedhjet në këtë komunë janë dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi për t’u zhvilluar më 2 gusht, pas shkarkimit nga detyra të kryekomunarit të mëparshëm për shpërdorim detyre. Votuesit e komunës së Ballagatit në rrethin e Lushnjës pas pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do t’u duhet të shkojnë sërish përpara kutive të votimit më 2 gusht. Shkaku i rivotimit për kryetar komune në Ballagat rrjedh që prej shkurtit të 2007-s, nga zgjedhjet e së cilës doli fitues Fatos Sharka. Ai ndiqet penalisht për shpërdorim detyre dhe dënohet për këtë vepër penale me 2 muaj burgim dhe 300 000 lekë gjobë. Qeveria me një vendim të marrë në fund të vitit 2008 (dhjetor) vendosi shkarkimin nga detyra e kryetarit të komunës së Ballagatit. Marrja e këtij vendimi u propozua nga ministri i Brendshëm një muaj më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›