E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paneli i Inspektimit shumëfishon ndërtimet pa leje në Ksamil



Bregdeti i Ksamilit dhe Parku Kombëtar i Butrintit është kthyer në një kantier ndërtimi godinash pa leje gjatë ditëve të fundit. Shkak sipas specialistëve është bërë situata kaotike e krijuar pas protestave të banorëve të Jalës, që u kanë dhënë zemër banorëve të Ksamilit të ngrënë godina pa leje, me shpresë se ato nuk do të prishen.

Të mbështetur edhe nga raporti i Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore, si edhe nga deklaratat e Partisë Socialiste, banorët e zonës po i mëshojnë ndërtimit të hoteleve në vende, ku ligji përcakton se nuk duhet të hidhet asnjë centimetër kub beton. Sakaq, ndikimi i raportit të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore duket se është rritja e ndërtimeve ilegale në bregdet.

Nxitja

“Raporti i pasaktë i Panelit të Inspektimit dhe deklaratat e papërgjegjshme të PS-së po nxisin ndërtimet e paligjshme në bregdet”, – bënë të ditur specialistët. Numri i ndërtesave informale që po ndërtohen në këto çaste në Ksamil, duket se është shqetësues, pasi ndikimi negativ që ka dhënë raporti i Panelit të Inspektimit është i dallueshëm.

Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore kishte përcaktuar në raportin e vet, se banorët në Jalë ndërtonin në tokën e tyre dhe ishin në proces legalizimi, ose prisnin lejen e ndërtimit, ndonëse ndërtimet në bregdet nuk janë në legalizim dhe për to nuk mund të jepet sipas ligjit leje ndërtimi. Gjithashtu, edhe toka ku ndërtonin ishte pronë publike, pasi në të nuk ka pronarë privatë.

Megjithatë, në një analizë të qeverisë shqiptare, sqarohet se grupi i punës i Panelit të Inspektimit është treguar i njëanshëm, megjithëse ka pasur në dorë dokumentacionin e plotë. Për më tepër, raporti arrin në gabime, sipas qeverisë, duke mos njohur ligjet shqiptare, si ligji i legalizimit dhe ai i planifikimit urban.

Si më parë...

Në këtë raport të qeverisë bëhet e ditur se në Butrint ka pasur edhe probleme të mëparshme në lidhje me ndërtimet informale dhe se ishte më se e nevojshme ndërhyrja qeveritare.

“Më 24 maj 2007 ka lidhje me një platformë gjigante betoni, që po vendosej brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, që është njëkohësisht i mbrojtur nga UNESCO, ashtu si edhe nga RAMSAR, si një zonë e rëndësishme për zogjtë mërgimtarë. Kjo ndërtesë që po kryhej po hapte rrugë të reja në zonën mjedisore të pacenuar brenda Parkut Kombëtar. Parku Kombëtar i Butrintit ishte gati për të marrë fonde nga disa donatorë, përfshi GEF-në dhe Fondacionin Butrinti, në mënyrë që të ruante bukurinë mjedisore natyrale të kësaj zone”, – thuhet në raport.

Por prej asaj kohe, klima e krijuar nga deklaratat politike apo nga klane në Bankën Botërore kanë bërë që gjendja të kthehet krahkundër, duke nxitur me ose pa qëllim ndërtimet e paligjshme akoma edhe në bregdet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›