Centrali bërthamor, replika Tahiri-Mëhilli
Nisma
Ndërtimi i centralit bërthamor shkaktoi dje debatin e radhës mes dy selive të partive kryesore në vend. Partia Socialiste, përmes deputetit Saimir Tahiri, vërejti se vendimi i qeverisë për ngritjen e Agjencisë Kombëtare Bërthamore është një tjetër tentativë e Berishës për të tërhequr vëmendjen nga hapja e kutive, ndërsa përmendi zhvillimin e një referendumi për këtë çështje. “Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin”, tha Tahiri. Ndaj, Partia Socialiste i bëri thirrje Kryeministrit që t’i lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i militantit të radhës si drejtor të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, por fillimisht t’i japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale, duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do ta bëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor”, theksoi Tahiri. Sakaq, selia blu, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli vërejti se paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist, i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historikë e biologjikë, por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme.
#