Cerezon e mllefosin spekulimet për Falcaon

Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo ndihet i mllefosur për spekulimet rreth së ardhmes së Radamel Falcaos.
Kreu i klubit spanjoll kërkon që përfaqësuesi kolumbian të lihet i qetë dhe të mos flitet shumë për të ardhmen e tij.
“Nuk jam i pasjellshëm, por jam mjaft i mllefosur. Çdo gjë në jetën time e ka një limit. Nuk e di të ardhmen e tij, por nëse e dini atë, mund t’ia thoni atij”, ka thënë 64 vjeçari për mediat spanjolle. “Nuk mund t’i duroj këto spekulime më. Vetëm mund të them se Falcao për momentin është lojtar i Atletico Madridit”, përfundoi Cerezo.