E Diel, 1 Nëntor 2026

Cirku i Metropolit , Mos i beso kurrë një ujku, fillon turin në qytetet kryesore të vendit

Premiera më e re është një vepër risi në vendin tonë, që eksperimentohet për herë të parë në arenën e cirkut
Cirku i Metropolit ka filluar përgatitjet për një turne në qytetet kryesore të vendit. Stafi i artistëve të cirkut do të ndahet në dy pjesë, njëri grup do të qëndrojë në Tiranë për të vazhduar programin e rregullt të shfaqjeve në Arenën e Cirkut të Metropolit, ndërkohë që një grup i zgjedhur artistësh do të nisi turneun në qytetet kryesore të vendit. Turneu fillon sot me qytetin e Elbasanit. Shfaqja e cirkut do të jepet për dy ditë në Pallatin e Sporteve të qytetit. Një program numrash akrobatik të përzgjedhur me mjaft kujdes do të sjelli një atmosferë festive për të gjithë admiruesit e artit të bukur të cirkut në këtë qytet. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Elbasanit është parashikuar një pjesëmarrje masive e nxënësve të këtij qyteti. Ky turne do të vazhdojë në javët në vijim në qytetet: Durrës, Korçe, Fier, Shkodër etj, për të sjellë në këto qytete traditën e harruar të shfaqjeve të Cirkut. Ndërkohë në Arenën e Cirkut të Metropolit po luhet shfaqja për fëmijë Mos i beso kurrë një ujku, çdo të shtunë dhe të diel, ora 11.00. Në eksperimentim është marrë fabula popullore Kecat dhe Ujkudhe është  vënë dorë më shumë kujdes në përmbajtje, por pa cënuar moralin që përcjell fabula. Mbi këtë motiv është bërë edhe ndryshimi i titullit. Në shfaqje marrin pjesë fëmijët e Ansamblit Spekter dhe Studio e Cirkut të Metropolit. Regjia: Llaqi Nako, mjeshtëra: Silvana Dumi dhe Agron Muho; pedagogët e studios së Cirkut të Metropolit: Kujtim Dumi e Sokrat Buzo; formulimi muzikor: Saimir Çili; kostumet: Zana Bodinaku. Kjo shfaqje që në ditët e para, por dhe në ditët në vijim ka pasur një numër të konsiderueshëm spektatorësh, të cilët kanë duartrokitur lojën e bukur të artistëve të cirkut.

 Premiera më e re e Cirkut të Metropolit
Mos i beso kurrë një ujku, është një vepër teatrale risi në vendin tonë që eksperimentohet për herë të parë në Teatrin e Cirkut të Metropolit. Premiera më e re e Cirkut te Metropolit është konceptuar këtë herë përmes një forme krejt të veçantë. Kjo shfaqe nuk është thjeshtë balet, nuk është dance-teatër, nuk është muzikholl, por ka nga te gjithë këto zhanre ne kuptimin klasik te fjalës. Por nëse nuk mund të bëjmë një përcaktim adekuat është për faktin se autori është përpjekur që ta përshtatë në specifikën që ka zhanri i cirkut. Ashtu siç e kanë ndërtuar gjithçka është e përligjur nga ana ideore dhe artistike. Themi ideore dhe artistike për faktin se shfaqja ka dramaturgji letrare mbi bazën e së cilës përshtatet gjithë teknologjia artistike dhe mjetet shprehëse. E gjitha kjo ilustrohet me një muzikë të përzgjedhur, jo e shkruar enkas që do të ishte idealja, por e përshtatur me të gjithë zhvillimin dramaturgjik të veprës. Në këtë shfaqje marrin pjesë dy trupa artistike si: Ansambli i fëmijëve Spektër dhe studio e Cirkut të Metropolit. E veçanta është harmonizimi i disa gjinive të artit skenik si: baleti, dance-teatri, pantonima, dhe akrobacia ku brenda së cilës përfshihen disa profile: si numra plastikë, xhonglerim, dinamike etj. Kjo akrobaci nuk vjen me një renditje skematike, por si një ilustrim i ngjarjes në mënyrë shumë të natyrshme. E veçanta e dytë e shfaqjes është në faktin se nga fillimi i saj deri në fund ndodhemi në botën e kafshëve. Janë kafshët ato që veprojnë, flasin, kërcejnë, këndojnë, performojnë akrobaci, sepse jemi në një përrallë, në mes të pyllit, por gjithsesi nën kupolën e çadrës se cirkut. Sjellja në skenë me nota kaq reale të atmosferës së pyllit i dedikohet edhe punës së kostumografes Zana Bodinaku. Baza, për nga pikëpamja e vlerave janë performancat e Studios së Cirkut të Metropolit me të cilët kanë punuar pedagogët Silvana Dumi dhe Agron Muho si dhe Mjeshtërit e Cirkut të Metropolit Kujtim Dumi e Sokrat Buzo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›