E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, çmime letrare për arbëreshët

21/04/2009  Janë nderuar nën emrin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare në kuadër të edicionit të 9-të të konkursit “Principe Giorgio

Castriota Skanderbeg” është zhvilluar të shtunën në qytetin e Chierit, pranë Torinos në Itali. Konkursi letrar organizohet nga shoqata “Vatra Arbëreshe” e Chierit, ndërkohë që çmimet u jepen krijimeve të reja më të mira letrare në gjuhën arbëreshe, si dhe krijimeve më të mira të nxënësve me origjinë arbëreshe që studiojnë në shkollat italiane. “Qëllimi i konkursit është pikërisht ruajtja dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës arbërishte ndër brezat e rinj të diasporës së hershme shqiptare në Itali”, - u shpreh Vincenzo Cuçi, presidenti i shoqatës “Vatra Arbëreshe”. Ai u kujtoi të pranishëmve se në territorin e rajonit të Piemontes jetojnë sot mbi dhjetë mijë qytetarë me origjinë arbëreshe, duke përbërë kështu një nga bashkësitë më të mëdha të këtij komuniteti jashtë vendbanimeve të tyre historike në Jug të Italisë.

Duke filluar nga ky edicion, një seksion i posaçëm i konkursit u rezervohet edhe krijimeve të reja poetike të shkruara në shqipen letrare. Në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontes, të përfaqësuara në ceremoni nga zëvendëspresidenti i saj Benko Gjata, këtë herë juria e konkursit vlerësoi me çmim edhe krijime poetike të autorëve shqiptarë.

Juria e konkursit kryesohej nga prof. Italo Fortino, titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë Universitetit të Napolit. Anëtarë të saj ishin edhe Visar Zhiti - atashe kulturor pranë ambasadës së Shqipërisë në Itali, Eduard Sopi - kryetar i shoqatës “Nënë Tereza” të Astit, Annunziata Delli Santi - eksperte e gjuhësisë pranë Sportelit Gjuhësor të Rajonit të Bazilikatës, si dhe poeti arbëresh Tommaso Campera - përgjegjës i departamentit të kulturës pranë shoqatës “Vatra Arbëreshe”.

Në ceremoninë e dhënies së çmimeve morën pjesë edhe shumë autoritete vendore.

Kryetari i bashkisë së Chierit vlerësoi në fjalën e tij kontributin e rëndësishëm të “Vatrës Arbëreshe” për përhapjen e njohjes së bashkësisë arbëreshe dhe të kulturës së saj. Ai tha gjithashtu se konkursi dedikuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti ia vlen të mbështetet, sepse ai përcjell vlera të mëdha artistike e kulturore.

Përfaqësues zyrtar i vendit tonë në takim ishte zoti Gjon Çoba, konsull i Shqipërisë në Milano.

Fitues të edicionit të nëntë të konkursit në seksionin e krijimeve në arbërisht u shpallën kantautori Francesco Scaravaglione, nga Pavia, si dhe nxënësja Katia Forte, në seksionin e autorëve të rinj. Në seksionin e dedikuar shqipes letrare për poezinë më të mirë të pabotuar fituese u shpall shkrimtarja dhe studiuesja vlonjate Vilhelme Vranari, ndërsa çmimi i posaçëm i jurisë për kontributin e dhënë në lëvrimin e letrave shqipe iu dha autores dhe përkthyeses Valbona Jakova. Ceremonia u shoqërua me një spektakël të titulluar. “La sposa di Scanderbeg” (“Nusja e Skënderbeut“) të paraqitur nga trupa artistike “Centro Mediterraneo delle Arti”. Spektakli, me këngë dhe muzikë të traditës më të mirë arbëreshe të luajtur live, rrëfen fazat e ndryshme të emigrimit arbëresh në Itali.

Vilhelme Vranari (Haxhiraj)

Me çmimin “Skanderbeg” për poezinë më të mirë në shqipen letrare u vlerësua Vilhelhme Vranari (Haxhiraj), shkrimtare dhe studiuese nga qyteti i Vlorës. Lindur në gjirin e një familjeje me tradita të njohura patriotike nga Kanina, me prejardhje nga prijësi i shquar shqiptar i mesjetës Gjergj Araniti, ajo e ka nisur krijimtarinë letrare që në rini. Botimi i saj i parë është një vëllim me poezi, por

gjinia që Vilhelme Vranari (Haxhiraj) preferon dhe lëvron më shumë është proza letrare dhe ajo historike. Autore e mbi 24 vëllimeve në 12 vjetët e fundit, ajo është vlerësuar me çmime për krijimtarinë e saj brenda dhe jashtë vendit.

Valbona Jakova

Shkrimtarja dhe përkthyesja me origjinë Shkodrane, por e lindur në Tiranë Valbona Jakova, u vlerësua me çmimin e posaçëm të jurisë për letërsinë në shqipen standarde. Ajo jeton në Ghedi pranë Breshias, bashkë më familjen që prej vitit 1991, qytet ku ushtron profesionin e mediatores kulturore. E pasionuar që herët pas letërsisë, botimet e

para i ka realizuar pas vitit 1990 në Shqipëri dhe në Itali. Gjithashtu ajo ka përkthyer në shqip poetët e mëdhenj Ungaretti dhe Neruda. Krijimtaria e saj është vlerësuar me disa çmime letrare në Itali.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›