Zjarri i verës, kërcënohet Pylli i Sodës
VLORË - Një zjarr i rënë në orët e pasdites ka kërcënuar një zonë në brendësi të Pyllit të Sodës. Flakët janë përhapur shpejt në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërkohë që kanë shpëtuar kurorat e pemëve. Flakët kanë marrë shtratin e krijuar nga halorët e pishave, të cilat tashmë janë të thara, çka i ndihmon flakët të përparojnë.
Edhe era në orët e pasdites ka ndihmuar në këtë zgjerim të sipërfaqes. Megjithatë, situata është kapur në kohë nga punonjësit e pyjores dhe zjarrfikëseve, të cilët janë gjendur shumë shpejt në zonën e Pyllit të Sodës.
Një mjet zjarrfikës, si dhe mjetet e ndërmarrjes pyjore kanë shuar zjarrin, duke evituar rrezikshmërinë e tij. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ku nuk përjashtohen edhe pakujdesi të personave që kalojnë përgjatë tij. Kjo është hera e dytë që zjarret e verës kërcënojnë zonat pyjore, ku i pari ndodhi në Zvërnec.
***********************************************************************
Gjirokastër, rrezik zjarri në depozitat e naftës
GJIROKASTËR - Punonjësit e repartit zjarrfikës në qarkun e Gjirokastrës vunë në kontroll të hënën, pas një operacioni që zgjati 4 orë, vatrën e zjarrit që u shfaq në afërsi të fshatit Mashkullorë, rreth 300 metra larg depozitave rezervë të naftës të kompanisë "Armo". Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër pohuan se vatra e zjarrit është identifikuar nga disa banorë të fshatit Mashkullorë, rreth orës 10:00 të ditës së djeshme.
Falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve u bë i mundur lokalizimi i vatrës së zjarrit nga pjesa jugore, në të cilën ndodheshin katër depozitat e naftës. Ndërkohë, policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e shfaqjes së zjarrit, i cili mund të kishte shënuar pasoja tepër të rënda në rast se punonjësit e repartit të zjarrfikëses nuk do të ndërhynin për të normalizuar situatën.
Ky është rasti i parë gjatë këtij sezoni që një vatër zjarri shfaqet në kurorat e gjelbërta në jug të vendit. Gjatë vitit të kaluar, në Prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës janë evidentuar 60 vatra zjarri. Mbi 400 hektarë sipërfaqe dhe kullota u dogjën plotësisht, si dhe 800 rrënjë ullinj u shkrumbuan.
******************************************************
Vdes i goditur me thikë 45-vjeçari
MIRDITË - Një 45-vjeçar nga fshati Arrëz i komunës së Kaçinarit është gjetur i vdekur në banesën e tij rreth orës 17:00 të ditës së djeshme. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje sapo është njoftuar dhe ka marrë në pyetje të afërm të tij, gruan dhe vajzën. Burimet policore saktësuan se ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje apo vrasje.
Në trupin e pajetë të tij është gjetur një goditje me thikë në fyt çka ka sjellë dhe vdekjen e tij, ndërkohë që trupi i pajetë është dërguar në morgun e Rrëshenit ku po kryhet dhe autopsia për të arritur në shkakun e vërtetë të kësaj vdekjeje. Mësohet se 45-vjeçari ka pasur dhe një djalë, i cili ka vdekur në një aksident fatal para dy vitesh.