E Shtunë, 31 Tetor 2026

DC United Salihi madheshtor

Në 65 minutat e para të debutimin e tij me D.C. Junaitid, Hamdi Salihi ishte i qetë. Në fakt, shqiptari I sapo transferuar te ekipi i Uashingtonit thjesht sa e preku disa herë topin, duke lëvizur vazhdimisht në mesfushë, me synimin për të shfrytëzuar vetëm një gabim të mbrojtjes së Çikago Fajër.

Megjithatë, “bomberi” nuk ka nevojë më shumë se një fraksion sekonde për të bërë atë që ai bën më mire: ta dërgojë topin në rrjetë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 66-të për t’i dhënë fitoren 1-0 DC Junaitid në ndeshjen hapëse të “Carolina Challenge Cup”.

Në mundësinë e parë, me një goditje gjysmë-voleji, Salihi dërgoi në rrjetë, duke realizuar një gol që pak ishin të bindur se mund ta shënonte. Lojtari më i ri i Mayor League-s u shpreh i kënaqur për debutimin me gol. 

“Jam shumë i lumtur. Ishte ndeshja ime e parë me ekipin, shënova dhe fituam. Është mirë, por ne kemi shumë gjëra për të bërë në të ardhmen, tha numri 9. Ne nuk jemi një ekip perfekt, por unë jam i lumtur se jemi në rrugë të mirë dhe po punojmë çdo ditë”.

Në pritje të asaj që do të arrijë të bëjë Salihi në kampionatin amerikan të futbollit, që nis më 10 mars, sulmuesi ka marrë komplimente nga shokët e skuadrës.

“Jo shumë njerëz mund të mendonin se ai top mund të goditej drejt portës, por Salihi e dërgoi në rrjetë”, tha sulmuesi i DC United, Kris Pontius. “Ishte një finalizim i madh dhe kjo ishte arsyeja përse klubi besoi te Salihi”, shtoi ai.

Ndërkohë, edhe ylli i skuadrës së Uashingtonit, De Rozario nuk i kurseu elozhet. “Isha i lumtur thjesht për atë që Hamdiu tentoi të bënte. Ndërsa mënyra sesi e finalizoi aksionin ishte thjesht madhështore”, tha sulmuesi kanadez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›