E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola mbetet pa lojtare

 Pas fitores me Atletikon e Madridit, ku Barcelona triumfoi falë magjisë së Lionel Mesit, Pep Guardiola ka mbetur praktikisht pa futbollistë në skuadër.
Për shkak të impenjimeve ndërkombëtare, drejtuesi i stolit “blaugrana” nuk kishte me kë të zhvillonte seancë stërvitore. Vetëm tre lojtarë u paraqitën në ambientet e klubit dhe ata ishin portiere rezervë Pinto, mesfushori Sejdu Keita dhe sulmuesi Pedro.
Për këtë arsye, trajneri vendosi që këta lojtarë të stërviten me Barcelonën B, të drejtuar nga trajneri Eusebio Sakristan, ndërsa Afellai, David Vija e Fontas vazhdojnë rikuperimin, duke zhvilluar stërvitje të diferencuar.
Barcelona ka 18 futbollistë të grumbulluar në përfaqësueset e tyre. Tetë prej tyre, Valdes, Pike, Ksavi, Iniesta, Pujol, Buskets, Fabregas dhe Tiago janë të impenjuar me Kombëtaren spanjolle, për miqësoren me Venezuelën. Ndërkohë, tre të rinjtë Montoja, Kuenka dhe Tejo luajnë me Kombëtaren olimpike kundër Egjiptit.
Alvesh dhe Adriano janë të grumbulluar për miqësoren e Brazilit me Bosnjen, Mesi dhe Maskerano për ndeshjen e Argjentinës me Zvicrën, Abidal është në skuadrën franceze për miqësoren me Gjermaninë, ndërsa Aleksis Sançez dhe Xhonatan Dos Santos do të luajnë si rivalë në takimin e Kilit me Meksikën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Guardiola do të ketë në dispozicion kontingjentin e plotë të skuadrës vetëm të premten, pak orë përpara ndeshjes në kampionat me Sporting Gijon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›