Çështja “Bollano”, Spiro Ksera i bindur se do të shpallet i pafajshëm
30/04/2009 Kryetari i shoqatës “Omonia” për qytetin e Gjirokastrës, njëherësh prefekti i këtij Qarku, Spiro Ksera, shprehet i bindur se kreu i Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë të Vlorës për shkuljen prej tij të tabelave orientuese në gjuhën shqipe në aksin Llogora–Qeparo, nuk do të gjendet fajtor nga instanca më të larta të drejtësisë shqiptare. Duke folur në një intervistë televizive, Ksera ka kujtuar një rast pothuajse analog, kur ai kishte paditur në gjykatë për vjedhje një kryetar komune dhe ishte dënuar me 6 muaj burg dhe 5 milionë lekët të vjetra gjobë. Ksera tha se personi i paditur vazhdoi procedurat që ia lejonte ligji dhe apelojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Sipas tij, Gjykata e Apelit rrëzoi akuzat ndaj këtij personi dhe e vlerësoi të pafajshëm. Duke marrë shkas nga ky rast, kreu i shoqatës “Omonia” për qytetin e Gjirokastrës shprehet se edhe Vasil Bollano do të ketë të njëjtin fat dhe se nuk do të dënohet, madje ndaj tij do të rrëzohen të gjitha akuzat. Rreth 10 ditë më parë gjykata e Vlorës vendosi të dënojë kryetarin e Bashkisë së Himarës Vasil Bollano me gjashtë muaj burg, 5 milionë lekë të vjetra gjobë dhe heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet. Në mbrojtje të tij doli menjëherë kreu i partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”. Vangjel Dule e vlerësoi të turpshëm dënimin. Për Dulen vendimi të kujton periudhat obskurantiste.