E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, interesat e naftës vendosën kufijtë

30/04/2009  Ministra e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes sqarojnë marrëveshjen për kufijtë detarë

Ish-ministri i Jashtëm flet për kontratën me kompaninë britanike të naftës

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke mbi ndarjen e hapësirës detare mes dy vendeve nuk cenon aspak sovranitetin e vendit apo interesat e tij. Ndërkohë mësohet se mosvendosja e kufijve mes shteteve, pra Greqisë dhe Shqipërisë, ka penguar punën e një kompanie britanike nafte në interes të shtetit shqiptar. Kanë qenë pikërisht pretendimet territoriale në ujërat tona që kanë sjellë vonesë për fillimin e punimeve me këtë kompani, një kontratë e nënshkruar që në kohën e qeverisë “Nano”. Këtë e ka konfirmuar në një prononcim për mediet ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, i cili u shpreh se ka qenë në dijeni të kërkesës së palës greke për ndryshimin e kufijve. Mosvendosja e kufijve ka bërë që grekët të kundërshtojnë fort marrëveshjen me shoqërinë britanike të naftës. “Kërkesa është bërë prej kohësh nga ana e palës greke, sepse pretendonte se firma gjatë punimeve mund të shkelte ujërat e saj territoriale. Kontrata me firmën britanike është firmosur që në kohën e qeverisë “Nano”, - u shpreh Mustafaj

Pohimi

Ndërkohë këtë fakt e kanë pohuar dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. Përveç faktit se kanë deklaruar prerë se nuk është prekur asnjë milimetër nga hapësira territoriale detare e Shqipërisë si pasojë e marrëveshjes së nënshkruar dy ditë më parë me Republikën e Greqisë, ata kanë pranuar se në këtë mes qëndrojnë interesat e naftës, për të cilat kompania britanike pretendon se është një zonë naftëmbajtëse që shtrihet nga fusha e Delvinës deri në detin Jon. Në fakt, kompania britanike do të bëjë kërkime në gjithë vijën bregdetare shqiptare, por pjesa që na ndan me Greqinë është më e afërta. Dy ministritë shprehen se çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Përfaqësues të institucioneve theksojnë se Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale si rezultat i kësaj marrëveshjeje. Sipas tyre, distancat dhe koordinatat e publikuara nga një e përditshme janë të pasakta dhe dezinformuese. Drejtoresha e Drejtorisë Juridike dhe Traktateve Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme Ledia Hysi dhe komandanti i Flotës Detare të Shqipërisë Kristaq Gërveni kanë theksuar se “çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër”.

Rasti i Turqisë

Në fakt, pretendimet territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos për sa i përket ngushticës së Korfuzit, janë të ngjashme me pretendimet për ujërat territoriale mes Greqisë dhe Turqisë. Kjo e fundit s’ka pranuar asnjëherë të vendosë kufij mes shteteve pikërisht për këtë çështje. E njëjta gjë ka ndodhur dhe mes dy shteteve tona, të cilat në të vërtetë s’kanë pasur kurrë një vijë ndarëse për shkak të largësisë tepër të vogël që ndan kanalin e Korfuzit. Çështja ka mbetur pezull dhe i gjithë kufiri ishte një hamendësim

Marrëveshja në Kuvend

Gjithsesi, marrëveshjes të lidhur mes dy shteteve duhet të kalojë në Kuvend që të marrë fuqinë e zbatimit dhe është Kuvendi ai që bashkë me specialistët do të gjykojë për saktësinë e ndarjes dhe, nëse është zbatuar Konventa Evropiane për baraslargësinë që duhet të ketë kufiri ujor nga brigjet respektive të shteteve. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në parlamentin grek dhe deri atëherë gjithçka mbetet e hapur. Kuvendi ka të drejtën e rishikimit të marrëveshjes, në rast se mendon se ndarja nuk është e drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›