E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Procesi zgjedhor, ne pikepyetje zgjedhjet e lira dhe demokratike

Arta Dade (Foto: NOA)

Tiranë, 16 shkurt 14:09 NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot se procesi zgjedhor është në rrezik, duke theksuar se janë në pikëpyetje, zgjedhjet e lira dhe demokratike më 28 qershor.

“Si forca kryesore e angazhuar seriozisht në reformën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare si zgjedhje që përbëjnë gurin e themelit për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit në BE dhe të ardhmen evropiane të vendit, PS shpreh shqetësimin e thellë për vonesat në ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit”, - tha sot në mesditë në një konferencë me gazetarë, Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade.

Ajo tha se ne “vërejmë me keqardhje se papërgjegjshmëria dhe paaftësia totale e qeverisë ka shkaktuar këto mangësi që vënë në pikëpyetje zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike”.

Kurse paralajmëroi se “nuk do të donim të besonim që pas kësaj fshihet një skenar i mundshëm i manipulimit të zgjedhjeve”.

Në këtë pikë, Dade tha se i kërkojmë qeverisë që “të ndalë demagogjinë dhe të angazhohet seriozisht për të realizuar në kohë dhe në cilësi detyrimet e saj ligjore për mbarëvajtjen e këtij procesi”.

Dade më tej rreshtoi katër pikë-kërkesa për qeverinë:

* Të hapë urgjentisht zyrat përkatëse për aplikimin në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, pasi deri më sot kompanisë përgjegjëse për lëshimin e këtyre dokumenteve nuk i janë krijuar kushtet për të patur zyrat e saj në çdo njësi vendore.

 * Të krijojë kushtet për njoftimin dhe lehtësimin e procedurave për shtetasit që nuk janë të pajisur me pasaportë, duke përcaktuar afate kohore konkrete. Rezulton që numri i shtetasve pa pasaportë tejkalon dukshëm shifrën e dhënë nga MB.

 * Të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të bërë transparencën maksimale të procesit të aplikimit, si dhe të ndërmarrë një fushatë publicitare më të efektshme në median qendrore dhe atë lokale.

 * Të bëhet efecient propozimi i PSSH-së për ngritjen e Komisionit Parlamentar Ad-hoc për monitorimin e ecurisë së procesit zgjedhor .

Kurse shtroi pyetjen: “Meqenëse procesi ka filluar në 8 qytete dhe do të fillojë sot edhe në 3 të tjera a mund të na thonë se kur do të fillojnë në 54 qytetet e tjera dhe në 308 komunat e vendit”.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi, Dade tha se PS do të informojë në mënyrë të vazhdueshme opinionin publik lidhur me ecurinë e këtij procesi duke u bazuar në të dhëna konkrete të përditësuara që sigurohen nga përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe strukturat në terren, bazuar mbi sistemin funksional-monitorues të ngritur nga PS për këtë qëllim.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›