E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: Qeveria ka ngritur në sistem manipulimin me gjithçka

Deklarata Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS flet për mosndëshkimin e ministrave

Reagimi ndaj qeverisë së Sali Berishës nuk është shprehi e një rituali politik, por refuzim i një Shqipërie që mban mbi vete simptomat e abuzimit të këtij pushteti. Deputetja socialiste Arta Dade ka deklaruar dje se arsyet e lëvizjes së opozitës në drejtim të protestës së rrugës është panoramë e një Shqipërie që sot është e detyruar të paguajë paaftësinë e një njeriu që për më shumë ligjëron sot në emër të një pushteti me legjitimitet të paqenë. “Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend ku 38000 fëmijët e lindur më 2009-n gdhihen që në ditën e tyre të parë të jetës me një borxh prej mbi 2000 dollarësh, thjesht e vetëm për shkak të interesave të pushtetit e pasurimit të Sali Berishës. Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend, ku shteti ligjor ka rënë, ku ministrat, deputetët e oborri i familjes në pushtet janë të paprekshëm nga ligji dhe mund të abuzojnë me paratë, pronat e të ardhmen e shqiptarëve”, deklaroi Dade. Me shifra dhe fakte konkrete, selia rozë ka nisur të shpjegojë korrupsionin e qeverisë së tanishme që përndryshe do të shihej si pjesë e debatit standard politik. Borxhi publik, papunësia në rritje dhe ekonomia e frenuar janë tregues të përgjithshëm, të prekshëm për të gjithë, e për pasojë arsye të mjaftueshme për të përligjur moralin e një opozite që premton protesta. Të vështruara si sëmundje sociale që thellohen në vijimësi nga një qeveri që e ka ngritur në sistem manipulimin e gjithçkaje, simptomat e renditura nga Dade janë një pengesë e natyrshme edhe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit. Sikurse çdo proces i ngjashëm në vend, edhe ky i fundit i serviret opinionit si një garë për firmosje në afat të dokumenteve që pakkush i kupton, por që në realitet nuk sjellin ndonjë ndryshim në jetën e qytetarëve shqiptarë. “U bënë tashmë 5 vjet që Sali Berisha premton integrimin, por po ashtu ka 5 vjet që Sali Berisha me qeverisjen e tij të papërgjegjshme humbet shans pas shansi për të realizuar ëndrrën europiane të shqiptarëve. Sali Berisha nuk mundet ta realizojë integrimin e vendit, ashtu siç nuk mundet të zgjidhë krizën e demokracisë e të ekonomisë që ka mbërthyer sot vendin, pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë shqiptarët, përveç familjes në pushtet”, u shpreh ajo. Të gjitha këto argumente që i jepen opinionit thuajse përditë janë përfshirë nga deputetja e PS-së si arsye madhore për të protestuar më 30 prill, ku natyrisht selia rozë shërben si katalizator i pakënaqësisë qytetare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›