E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora në jug të vendit krijon probleme në disa komuna

16/02/2010 Gjirokastër, trashësia arrin në 50 cm

GJIROKASTËR – Reshjet e shiut e të dëborës, që përfshinë që prej ditës së diel jugun e vendit, kanë krijuar probleme në disa zona rurale të qarkut të Gjirokastrës. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se në komunat Pogon dhe Zagori (Gjirokastër), lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë, për shkak se trashësia e dëborës varion nga 25 deri në 30 centimetra, ndërsa në segmentin e quajtur “Ura e Aznakut”, në komunën e Lunxhërisë, rruga u normalizua plotësisht rreth orës 10.00, pas daljes së shtratit të lumit Drino.

Të njëjtat burime thanë se situata në komunën Buz dhe Lufinjës (Tepelenë) është rënduar dje dhe trashësia e dëborës që ka arritur në 50 centimetra. Në këto dy komuna rruga është e pakalueshme edhe për shkak të shkarjeve të dheut. Aktualisht, punëtorët dhe një fadromë e Ndërmarrjes së Rruga Urës po punojnë për hapjen e këtij aksi. Në rrethin e Përmetit, sipas policisë lokale, situata paraqitet e vështirë vetëm në komunën Frashër, ku trashësia e dëborës ka kaluar mbi 70 centimetra. “Të gjitha rrugët midis fshatrave në komunën Frashër janë të bllokuar totalisht. Ndërsa, rruga rurale nga qyteti i Përmetit deri në vendin e quajtur “Bredhi” është e hapur dhe e kalueshme për çdo automjet”, shprehen burimet zyrtare. Policia saktësoi se 5 kilometra larg qytetit të Tepelenës në drejtim të Memaliajt, në vendin e quajtur “Rune”, rruga kombëtare ka pësuar një deformim, si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe aktualisht qarkullimi i automjeteve kryhet me një kalim. “Strukturat e policisë lokale kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat ku janë shfaqur probleme, duke marrë kontakt me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në raste emergjencash shëndetësore”, thanë burime zyrtare, duke nënvizuar se të gjitha segmente rrugore, ku pasiguria e qarkullimit është e pranishme janë ngritur shërbime 24 orëshe, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve. Prefektura e qarkut të Gjirokastrës ka një sipërfaqe 2880 km2 dhe një popullsi prej 161.842 banorësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›