E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defektet në Vlorë, mbeten në errësirë 6 fshatra

09/12/2008  Shtyllat u përpinë nga Vjosa

VLORE- Gjashtë fshatra të Vlorës janë që prej disa ditësh pa energji elektrike si pasojë e një defekti të rëndë në sistemin kryesor të shpërndarjes së energjisë. Gjithçka ka nisur të martën e kaluar ku si pasojë e daljes së lumit Vjosë nga shtrati, disa prej degëzimeve të tij kanë bërë që shtyllat e energjisë elektrike, të cilat kanë qenë të vendosura në krah të lumit të përpihen nga rrjedha e tij çka ka pasuar me ndërprerjen e energjisë në të gjithë zonën. Një ditë më pas ndërmarrja elektrike kreu bilancin e dëmeve, të cilat nuk kanë qenë të pakta pasi përveç sistemit të kabllove, kishte dhe një numër shtyllash, të cilat duhet të vendoseshin të reja për shkak se nuk dihet ku janë çuar nga rryma. Që prej ditësh banorët janë në pritje të riparimit të këtij defekti, i cili sipas tyre u ka shkaktuar shumë probleme mijëra banorëve të zonës së komunës Shushicë. Banorët shprehen se të gjitha produktet blegtorale janë hedhur poshtë, por ka dhe nga ata që i kanë nxjerrë për të shitur në tregje të ndryshme duke rrezikuar dhe jetën e konsumatorëve për shkak se kanë qenë jashtë frigoriferëve. Të tjerë shtojnë se shqetësim më të madh kanë ujin e pijshëm, pasi uji funksionon nëpërmjet pompave, të cilat tërheqin ujin. Ata shtojnë se nga ana e elektrikut kanë marrë siguri se kjo situatë do të zgjidhet ditën e enjte kur do të vihet në funksionim rrjeti i ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›