PLL: NATO, ëndrra e hershme e shqiptarëve
Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit Ekrem Spahiu e konsideroi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një ëndërr të hershme të të gjithë shqiptarëve në organizatën më të fuqishme politike-ushtarake të gjitha kohërave. PLL shpreh mirënjohjen ndaj vendeve anëtare të NATO-s dhe në mënyrë të veçantë ndaj SHBA për besimin e treguar ndaj vendit tonë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme në rrugën tonë të reformave dhe plotësimit të standardeve, ka theksuar Spahiu gjatë një konference për shtyp.
Ndër të tjera ai ka shtuar se shqiptarët e kanë merituar prej kohësh anëtarësimin në NATO dhe mbështetja e tyre ndaj këtij anëtarësimi në kuota më të larta se çdo popull tjetër, para vlerësimit të përfitimeve që do të vijnë nga ky anëtarësim, është pikë së pari një prirje natyrore dhe trashëgimi gjenetike që buron nga përkatësia jonë perëndimore.