E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të investohet shumë në Qarkun e Elbasanit

08/06/2009  Ministri Basha

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, në vijim të fushatës së tij elektorale në Qarkun e Elbasanit, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me banorë të Bradasheshit. Basha, i cili është i pari në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, deklaroi se Bradasheshti do të ketë shumë shpejt ujë të pijshëm 24 orë, sistem të ri kanalizimesh dhe shkollë moderne. Gjatë këtij takimi ministri i Punëve të Jashtme ka deklaruar se qeveria e Kryeministrit Sali Berisha, ashtu si deri më sot, do të shohë me prioritet arsimimin dhe punësimin e të rinjve. “Ujësjellësi i Bradasheshit, me një vlerë prej 1.7 miliard lekë, për të cilin punimet fillojnë, kanalizimet për ujërat e zeza, asfaltimi dhe ndriçimi me një vlerë prej 2 miliardë lekësh për Katundin e Ri, shkolla 9-vjeçare e Bradasheshit, të cilën do ta bëjmë nga fillimi me një vlerë prej 860 milionë lekë, 3-katëshe”, - kanë qenë premtimet e Bashës. Kryediplomati shqiptar ka përsëritur edhe në këtë takim premtimin se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të gjithë qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirisht nëpër Europë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›