Ndërpritet puna për autostradën Levan-Vlorë
Ndërpriten punimet e autostradës Levan-Vlorë, punëtorët e papaguar prej dhjetë muajsh bllokojnë rrugën nacionale. Firmat nënkontraktore nuk janë paguar për më tepër se 10 muaj nga firma fituese e tenderit të kësaj rruge “Alban Tirana”. Bëhet fjalë për 10 firma nënkontraktore, mes të cilave edhe firma “Palmir” e cila ka pjesën më të madhe të punimeve. Firma “Palmir” nuk ka marrë shumën e 1.5 milionë eurove, ndërkohë që shumat e pashlyera për firmat e tjera shkojnë nga 300 deri në 800 mijë euro.
Së fundmi firmat e papaguara deklarojnë se firma “Alban Tirana” ka falimentuar dhe do të jetë firma greke “AGEG” ajo që do të vijojë punimet e autostradës, e që ka premtuar të ndërhyjë duke njohur edhe borxhet që ka “Alban Tirana’ ndaj nënkontraktorëve.
Të enjten pritet që në autostradën e cila nuk ka më punime të reja prej disa javësh të ndërhyjnë grekët dhe po atë ditë të publikohet edhe nisja e procedimit penal për firmën “Alban Tirana”. Punonjësit e firmave nënkontraktore protestuan dje së bashku me pronarët e firmave dhe me mjete të shumta teknologjike bllokuan rrugën nacionale Fier–Vlorë për 1 orë.
#