E Diel, 1 Nëntor 2026

Orteku nga Tomori izolon 40 fshatra të Skraparit

Berat Masivi i borës dhe shkëmbinjtë shkatërruan rrugën

Rënia e një orteku bore dhe rrëshqitja e shkëmbinjve nga mali Tomor ka shembur krejtësisht rrugën e vetme që lidh dy komuna të Skraparit me pjesën tjetër të vendit. Plot 40 fshatra të komunave Gjerbës dhe Konak janë izoluar prej ditësh si pasojë e shkatërrimit të rrugës. Banorët e zonës tregojnë se shkak i shkatërrimit të rrugës është bërë rënia e një orteku bore. Dy javë më parë orteku i shkëputur nga mali Tomor ka marrë me vete disa shkëmbinj dhe ka përfunduar në rrugën e vetme që lidh çorovodën me dy komunat Gjerbës dhe Konak. Rruga edhe më parë kishte pësuar shkarje dhe orteku i ka dhënë goditjen përfundimtare, duke e bërë tërësisht të pakalueshme. Rreth 20 mijë banorë janë izoluar dhe nuk mund të kryejnë asnjë shërbim jetësor në spital, ashtu siç nuk mund të dërgojnë fëmijët në shkolla. Banorët e fshatrave Melovë, Gjerbës, Devri, Zhepë e Konak ankohen se veç problemit të rrugës kanë dhe mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Për të parë situatën në vend ditën e djeshme ka shkuar në Melovë kryetari i këshillit të qarkut, Pelivan Shatri dhe deputeti Fidel Ylli.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›