E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti, braktisen portet greke, forcohet Durrësi

Bizneset kosovare dhe ato maqedonase duket se kanë kthyer sytë nga porti më i madh i vendit, ai i Durrësit. Kjo për shumë arsye, por më kryesorja veç sigurisë dhe afatit më të shkurtër kohor të transportit, edhe sepse heqja e barrierave doganore me Kosovën si dhe përmirësimi i parametrave fizikë dhe teknike në portin detar të Durrësit ka ndikuar në rritjen e volumit të mallrave të cilat nëpërmjet këtij porti përfundojnë në Kosovë dhe Maqedoni. Janë me mijëra kontejnerë plot me mallra të ndryshme të porositura në vendet perëndimore nga tregtaret kosovare dhe maqedonase, të cilat vendosen me regjim të përkohshëm në terminalin e ngritur për përpunimin e tyre që më pas nisen në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, - deklaroi për “standard” drejtori i APD-së, Eduart Ndreu. Një situatë e tillë ka favorizuar hyrjen në procedurat e bashkëpunimit reciprok edhe të katër kompanive të cilat merren me transportin e kontejnerëve nga 2 të tilla që ishin deri në fillim të këtij viti. Më parë, një pjesë e madhe e mallrave të destinuara për Kosovë dhe Maqedoni kalonin nëpërmjet porteve greke. Por rritja e transportit me kontejnerë, si dhe zbutja e barrierave doganore në portin detar të Durrësit, i ka rikthyer kontejnerët dhe trajlerat në këtë port njëlloj si në periudhën e post-luftës së Kosovës. Sipas statistikave doganore, rezulton se për çdo ditë në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë udhëtojnë 20 kontejnerë dhe një numër i përafërt trajlerash të tonazheve të larta. Deri para disa muajve portin e Durrësit e prekte vetëm një traget i mbushur me kontejnerë, ndërsa sot janë dy të tillë, të cilët kryejnë dy rrugë, pra janë katër prekje në javë dhe 16 në një muaj. Kontejnerët dhe trajlerat kalojnë transit nëpërmjet portit dhe procedurat doganore realizohen në vendet përkatëse. Por, edhe pse dogana e Durrësit nuk përfiton të ardhura në mënyrë direkte nga kalimi i tyre nëpërmjet këtij porti, përsëri fitimi është i madh. Përfitojnë kompanitë shqiptare të transportit, është rritur numri i mjeteve të rënda të cilët lëvizin në aksin Durrës - Kosovë apo Durrës - Maqedoni, përfiton porti detar nëpërmjet taksave të imbarkimit si dhe subjektet që merren me kryerjen e shërbimeve dytësore. Më parë pjesa më e madhe e këtyre mallrave kalonte transit, por nëpërmjet porteve greke. Kosovarët dhe maqedonasit sjellin në portin e Durrësit mallra nga më të ndryshmet duke nisur që nga artikujt ushqimorë, ata industrialë, materialet e ndërtimit, artikuj elektroshtëpiakë, të cilët i blejnë në vendet perëndimore me shumicë. Kontejnerët dhe trajlerat i nënshtrohen verifikimit të dokumenteve të mallrave që mbartin, si dhe skanimit nga jashtë nëpërmjet aparatit të instaluar pak kohë më parë, i cili ka ndikuar në kryerjen e procedurave të shpejta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›