E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH-ja zbulon 58 dosje pensionesh false

Kontrolli i Lartë i Shtetit, i ardhur prej një muaji në degën e Sigurimeve Shoqërore Durrës, ka zbuluar shkelje dhe abuzime me detyrën të disa zyrtarëve të saj, por edhe 58 dosje të pensioneve me shkelje ligjore. Sipas drejtorit, Frederik Tufa, “lidhur me rastet e abuzimit me detyrën dhe rastet e zbuluara nga KLSH-ja me pensionet e dyshimta nga ku është përfituar pension i paligjshëm, ne po mbajmë qëndrim të rreptë. Do të merren masa të ashpra administrative, por edhe do të ndiqen penalisht abuzuesit”. Tufa tha se “rastet e evidentuara dhe të nxjerra nga ekipi i kontrollit i përkasin periudhës së 2-3 viteve të fundit, por që prej meje pavarësisht se kam vetëm 3 muaj në këtë detyrë, do të merren masa urgjente administrative. Kështu, vetëm dje kam nisur drejt organit të prokurorisë 3 rastet e para, pra dosjet e para të pensioneve që dyshohet se janë me shkelje ligjore”. Drejtori i ri i degës së ISSH-së ka deklaruar se “objektivi i punës së këtij institucioni mbetet rritja dhe efikasiteti i punës, bashkëpunimi me bizneset, lufta ndaj informalitetit dhe jo mbulimi i rasteve të stimuluara nga disa prej zyrtarëve dhe vartësve të mi”. Rastet e zbuluara nga ekipi i kontrollit të KLSH-së nuk mbetet i pari për degën e Sigurimeve Shoqërore në Durrës, pasi të tilla janë evidentuar edhe 5 vjet më parë, pas denoncimit të një grupi punëtorësh të kantierit detar, duke nxjerrë në dritë abuzimin me detyrimet e sigurimeve shoqërore të mjaft ndërmarrjeve dhe bizneseve te tjera. Abuzime me dosjet e pensioneve janë zbuluar edhe në portin detar në vitet 2001-2005, si dhe 23 rastet e tjera në disa prej ish-ndërmarrjeve të Shkozetit. Sipas drejtorit Tufa, “po përgatitet një raport i veçantë dhe një dosje e tillë, e cila do t’i dorëzohet prokurorisë, ku do të kërkohet zbardhja e të gjithë rasteve duke synuar heqjen e njollës së turpit të këtij institucioni dhe dërgimin në gjyq të abuzuesve, zyrtarëve dhe përfituesve të parave të paligjshme”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›