E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju kujtohet gjë fjala Meritokraci ???

Nga Flamur BËRDËLLIMA
Kam përpara listën që disa parti kanë shpallur në shtypin e ditës për deputet. Një vështrim vertikal i tyre, automatikisht më çon tek fjala e harruar tashmë, Meritokraci. Absolutisht nuk kam ndërmend t'u mbaj leksion vepruesve politikë që militojnë majtas ose djathtas skenës së politikës shqiptare. Përkundrazi shpreh respekt të thellë për të gjithë ato burra dhe gra, të rinj dhe të reja, ata militant e politikan të ndershëm, të përkushtuar, zgjedhës, politikan të ndershëm, që me pasion, edukatë, e kulturë demokratike e kanë quajtur angazhimin e tyre politik vetëm si një shërbim ndaj demokracisë shqiptare dhe jo si një privilegj që jep poste, pasuri të pandershme, pushtet arbitrar. Por duke parë këto të shkreta lista, disa konkluzione dalin shumë shpejt dhe lehtas. Thamë hapur, troç dhe që në fillim në shumicën e emrave, nuk mund të vihet si përcaktor, Meritokracia.
Dikur bënte bujë. Dikur ishte kriter. Njësi matëse. Por çfarë më bie në sy në këto lista, sidomos tek ajo e PS. dhe e PD, që i pashë mirë, qofshin të konfirmuar apo jo? Së pari utilitarizmi politik i hartuesve të listave. Ku shihet haptazi se si vetëdije udhërrëfyese shërben haptazi bindja nga njëshit, kokëulësia, dogma urdhëruese për individin e vënë në listë, i cili duhet të zbatojë e jo të mendojë, të pyes, të hartoj, të korrigjoj apo të kundërshtoj. Mund ta kuptoj Ben Blushin në Korçë, por kurrë Mimi Kodhelin në Kukës apo Namik Doklen në Durrës. Mund të kuptoj Gjergj Bojaxhiun në Tiranë edhe Sami Gjergjin në Durrës por jo Leonard Demin në Vlorë apo Lul Bashën e Ali Shamatën në Elbasan. Kjo matematikë çdo gjë mund të ketë brenda përveç Meritokracisë. Meritokraci që vërtet mund të shtrihet në rang Shqipërie, por çdo deputet është bir i vendit ku ka lindur.
Pse ndodh kështu? Mjerisht, kështu ka qenë dhe pothuajse i tillë ka mbetur, profili moral i politikës sonë i këtyre 18 19 vjetëve: individ, deputet dhe grupe të tillë, me shumë pak përjashtime që shërbejnë të përgjumur. Masa njerëzore të verbra, që nuk prodhojnë moral por zbatojnë moral urdhrat. Vallë kështu do të vazhdojmë më këto zgjedhje? Do të kemi një ç ekuilibrim të ri të tërësisë së vlerave tona morale dhe shoqërore, pra të Meritokracisë? Parë në një optikë tjetër, këto lista më duken si shprehje e impulsit agresiv të urrejtjes drejtuar ndaj mendimeve ndryshe, që sherret e partive kanë rastin të hedhin në treg. Thënë ndryshe ky realitet parazgjedhor e këto lista, për mendimin tim, po çimentojnë më tej autoritarizmin si marrëdhënie, duke shmangur Meritokracinë. Si qytetar dhe gazetar shpreh keqardhjen e jashtëzakonshme që edhe gra të propozuara në politikë, nuk janë politikane gra, në shumicën e tyre. Është e vërtetë se sot e 18 19 vjet të shkuara që nga koha kur u la pas sistemi diktatorial, ndryshimet në shoqëri, si sistem ekonomiko politiko shoqëror janë të dukshme, por këto lista edhe një herë më bindin se ato nuk janë të tilla në fushën e moralit politik, ku Meritokracia duhet të ishte kryefjalë.
Por, medet...                 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›