E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denohet regjisori i filmit Pafajesia e myslimaneve

Një gjykatë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar me një vit burg autorin e filmit mbi profetin Muhamed, “Pafajësia e Myslimanëve”, 55 vjecarin Mark Beselei Josef, me akuzën se ka shkelur lirinë me kusht që i ishte imponuar pas një dënimi në vitin 2010 për mashtrim bankar. Josef ka pranuar katër nga akuzat e bëra kundër tij, mes të cilëve dhe ajo e marrjes së një patente të falsifikuar në Kaliforni. Por asnjë nga akuzat nuk ka pasur lidhje me përmbajtjen e filmit, që kishte provokuar nëj valë protestash në botën arabe, pasi konsiderohej si një film blasfem. Trazirat e provokuara nga filmi kanë shkaktuar ndër të tjera dhe vdekjen, në 11 shtator, të ambasadorit amerikan në Libi, Kris Stivens dhe të tre bashkëpunëtorëve të tjerë. Por ka pasur dhe viktima të tjera në vende të ndryshme islamike gjatë përplasjeve të dhunshme ndërmjet manifestuesve dhe forcave të rendit. Gjyqtarja Kristina Snajder deklaroi se 55 vjeçari, duhet të kalojë 12 muaj në qeli, të ndjekur nga një mbikëqyrje 4-vjeçare pas lirimit të tij. Ndërsa prokurori i çështjes kërkoi dy vite dënim. Pas dënimit në vitin 2010, ai kishte shlyer shumicën e dënimit 21-mujor me burgim për përdorimin e dhjetëra emrave të rremë për hapjen e rreth 60 llogarive bankare, duke ngritur një skemë të vërtetë mashtrimi. Gazeta “Los Angeles Times” deklaron se gjatë qëndrimit në burg ai lexoi për Kuranin dhe nisi të kërkonte mënyra për ta kritikuar atë. Me t’u liruar atij i ndalohej të përdorte kompjutera ose internet për pesë vjet, pa i dhënë leje oficeri i lirimit me kusht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›