E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët britanikë interesohen për Mitrovicën

Një grup i deputetëve të Parlamentit të Britanisë së Madhe kanë qëndruar të premten në Mitrovicë, ku janë pritur nga nënkryetari i komunës, Riza Haziri, me ç’rast kanë diskutuar lidhur me aktualitetin në rajonin e Mitrovicës dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët në këtë pjesë të Kosovës.

Nënkryetari Haziri foli për problemet e pasluftës, duke thënë se për dallim nga komunat tjera, Mitrovica ka një situatë më specifike. Për të ilustruar këtë, ai përmendi mungesën e funksionimit të rendit dhe ligjit në veri, ku veprojnë strukturat paralele serbe.

Sipas tij, këto struktura janë duke e mbajtur nën presion popullatën në veri, duke mos e lejuar që të integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Si pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit në veri, atje kemi një situatë kaotike, që është duke sfiduar si institucionet vendore gjithashtu edhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.

Ai shtoi se komuna dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë një qasje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, mirëpo ndikimi dhe roli i madh i Serbisë tek qytetarët serbë të veriut është duke penguar normalizimin e situatës.

Për këtë ai përmendi edhe situatën e re pas vendosjes së barrikadave në rrugët magjistrale të veriut nga udhëheqësit ilegalë të komunave të veriut.

Mysafirët britanikë, të cilët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, u interesuan edhe për raportet e komunës me KFOR-in si dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë. Ata deshën të kuptojnë më tepër për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, nënkryetari Haziri, tha se raportet e komunës me KFOR-in janë të shkëlqyeshme.

“Ka një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet ndërkombëtare e sidomos me KFOR-in”, tha ai.

Ai bëri të ditur se njëjtë nuk ka qenë edhe me drejtuesit e UNMIK-ut në Mitrovicë, të cilët kanë udhëhequr një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në veri, dhe si pasojës e asaj politike kanë derivuar shumë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët atje.

Lidhur me aspektin ekonomik, investimet në infrastrukturë, etj, për të cilat u interesuan deputetët britanikë, nënkryetari Haziri, përmendi përkrahjen e komunës për bizneset. Ai tha se Mitrovica ka ndër normat më të ulëta tatimore për bizneset në gjithë Kosovën, ndërsa potencoi si problem të madh numrin e të papunëve.

“Mitrovica ka qenë një qytetet industrial që ka pësuar shumë dhe si pasojë ajo industri tash është jashtë funksionit. Ndërkaq, sa i përket “Trepçës”, aty punohet me një kapacitet të vogël”, ka thënë Haziri.

Deputetët britanikë pas takimit në komunë vizituan urën e Ibrit, ku panë nga afër barrikandën e vendosur nga serbët në këtë urë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›