E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priten propozimet e partive për amandamentimin e Kushtetutës

Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës pas përfundimit të debateve të mbajtura nëpër komunat e Kosovës, ka nxjerrë edhe rezultatet nga anketimet që kanë dhënë qytetarët, të cilat do të merren parasysh në amendamentet e Kushtetutës. Por ky komision, nuk është marrë edhe me ndryshimet e amendamenteve që kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit, pasi që një gjë e tillë nuk ka qenë në mandatin e tyre dhe presin autorizimin e Kuvendit të Kosovës për këtë çështje.

Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami gjatë një konference për media të mbajtur të premten ka prezantuar sugjerimet dhe opinionet e marra nga qytetarët, në procesin e ndryshimeve kushtetuese, për pjesën që ndërlidhet me zgjedhjen e presidentit.

Bajrami ka thënë se tani kur do të merren këto propozime dhe të finalizohen, pason faza finale prej datës 20 nëntor deri më datën 5 dhjetor, ku priten komentet dhe amendamentet nga partitë politike. Pastaj komisioni do të finalizojë tekstin dhe orientimi i komisionit është që të finalizojë tekstin para skadimit të afatit edhe pse ka afat deri në fund të janarit.

Ai beson që të gjitha amendamentet do të përfundojnë deri më datën 20 dhjetor dhe pastaj do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës, për të proceduar me amendamentet dhe shpalljen e zgjedhjeve presidenciale.

“Orientimi ynë është që deri në datën 20 dhjetor, para festave të Kërshëndellave, të dorëzohen amendamentet kushtetuese dhe në mënyrë simbolikisht t’i tregojmë Parlamentit, se puna e komisionit është kryer dhe Parlamenti me proceduar me miratimin e amendamenteve dhe shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, sipas dinamikës dhe rezolutës së përcaktuar nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Mandati i këtij komisioni, ka qenë vetëm me i rishikuar nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, pra jo edhe kompetencat e presidentit. Por Bajrami thotë që edhe çështja e kompetencave të presidentit duhet të rregullohet.

“Ne i kemi vlerësuar si anëtar të komisionit, që janë të domosdoshme, por me qenë reforma funksionale me qenë e plotë, se po e ndërrojmë mënyrën e zgjedhjes, është e nevojshme të rregullohen edhe kompetencat. Por ne nuk kemi bërë as një hap në këtë drejtim në mungesë të mandatit. Është në Kuvendin e Kosovës, se a dëshiron të autorizojë komisionin që të rregullojë edhe këto kompetenca, por assesi komisioni nuk do të kërkojë afate shtesë dhe assesi nuk ka asnjë pengesë që mbi bazën e këtyre amendamenteve, që ne po propozojmë, të shpallen zgjedhjet brenda afatit”, ka deklaruar Bajrami.

Për më tepër ai ka thënë se për kompetencat e presidentit që parasheh neni 84, nuk duhet të ketë një afat shtesë për komisionin, pasi sipas tij, deri sa të inaugurohet presidenti dhe të merr detyrën, edhe ky nen mund të ndryshohet pa shtyrje të afateve.

“Sipas rezolutës, 6 muaj pas miratimit duhet të shkohet në zgjedhje, kjo po i bien në verën e vonë, ose në në fillim të shtatorit. Dhe komisioni vlerëson që kjo kohë prej momentit kur votohen amendamentet, derisa inaugurohet presidenti, deri sa merr detyrën, është e mjaftueshme të riparojmë edhe nenin 84 pa nevojën e shtyrjes së afateve”, ka deklaruar Bajrami dhe ka shtuar se propozimet e arsyeshme të qytetarëve do të merren parasysh.

Bajrami ka theksuar se me këtë sistem që tani presidentin po e zgjedhin qytetarët dhe me kompetencat që i ka, pa ia shtuar asnjë, mund të thuhet se Kosova po shkon më tepër nga modelet e sistemit të Republikës parlamentare-presidenciale.

Gjithashtu janë prezantuar edhe rezultatet e anketës që i ka bërë ky komision me qytetarë dhe studentë të universiteteve të ndryshme.

Në pyetjen “Cila duhet të jetë mosha e presidentit?”, kanë qenë tri alternativa: 18, 35 dhe 40 vjet. 69 % janë përcaktuar për moshën 35 vjet, çfarë edhe ka qenë propozimi i komisionit, 30 % kanë qenë për moshën 40 vjeçare dhe 1 % kanë pas propozim për moshën 18 vjeçare.

Pyetja e dytë ka qenë se “Sa vjet duhet të jetë banor i Kosovës kandidati?”. 50 % kanë kërkuar që presidenti të ketë qenë 10 vite banor i Kosovës, kurse komisioni ka propozuar 5 vjet në 10 vitet e fundit dhe për këtë opsion ka pas 48 % të anketuarve.

Një pyetje tjetër “Se kush ka të drejt të kandidojë për president?", 40 % e kanë mbështetur të drejtën e partive politike që të kandidojnë, ndërsa 39 % një numër i caktuar i qytetarëve. Të dy opsionet janë përkrahur nga komisioni si nga partitë politike ashtu edhe nga qytetarët me mbledhjen e 15 mijë nënshkrimeve.

Pyetja tjetër ka qenë “Pas zgjedhjes së presidentit duhet të heq dorë nga shtetësia, apo mund të ketë shtetësinë e një shteti tjetër?”, 83 % janë deklaruar se presidenti duhet të heq dorë nga shtetësia në momentin e zgjedhjes dhe 17 % janë deklaruan se mund të ketë edhe shtetësinë e një shteti tjetër.

Njëra nga pyetjet që ka zgjuar interesim të madh, ka qenë “Se ku duhet të betohet presidenti?”, 55 % janë deklaruar se ai duhet të betohet para kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kurse 45 % mendojnë se para kryetarit të Parlamentit. Këtu komisioni njëzëri ka vendosur që duhet të betohet para kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka dilemë. Sepse një president i zgjedhur nga qytetarët nuk duhet të betohet para Parlamentit, por në një ceremoni publike që e administron kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu se “A duhet të betohet presidenti para Gjykatës Kushtetuese apo në ndonjë vend neutral?”, 47 % kanë kërkuar të betohet para Kuvendit të Kosovës, 23 % para Teatrit Kombëtar, 12 % në stadiumin e qytetit, 10 % Sheshin “Nëna Terezë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›