E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, rrëzohet skema e parë, draft i ri

01/04/2009  Pritet që qeveria të propozojë një grup projektligjesh, ku përfshihen disa kategori

Ligji për pensionet e ushtarakëve pritet të miratohet brenda pak javëve në qeveri. Ndërkohë mësohet se drafti nuk do të jetë i posaçëm vetëm për këtë kategori, por do të paraqitet si një paketë e plotë për pensionet suplementare. Gjithsesi, ekspertët kanë bërë të ditur se nuk do të ketë ndryshime nga ajo që kanë propozuar grupet e punës. Por ajo çfarë pritet të rishikohet është forma e aplikimit, duke i përfshirë në të njëjtën skemë gjithë ato kategori që do të përfitojnë pension suplementar, duke përfshirë ish-ushtarakët, gardistët, minatorët etj. Ndaj dhe projekti i diskutuar në qeveri ende nuk ka gjetur rrugën e zgjidhjes.

Drafti

Grupet e punës kanë përcaktuar se masa e pensionit do të llogaritet në bazë të periudhës së lirimit nga detyra si dhe kontributeve të derdhura për vitet shtesë. Kështu, masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë rreth 50 për qind e pagës referuese, ndërsa për çdo vit tjetër shtesë do të ketë rritje të tjera me nga 2 për qind. Është vendosur që për të gjitha vitet e shërbimit për të cilat janë derdhur kontributet shtesë, konkretisht për ato të pas 2004-s, do të ketë rritje të masës së përfitimit. Por këto shtesa do të pësojnë rritje deri në një kufi të caktuar, që nuk do të jetë më shumë 50 për qind e pensionit maksimal që përfitojnë. Ndërkohë reformë do të ketë dhe në moshën e daljes në pension të parakohshëm apo detyrimet që do të ketë qeveria për të paguar kontributet për rezervistët. Gjithashtu për ish-ushtarakët është parashikuar dhe fondi i posaçëm për ISSH-në, që do të vihet në zbatim vetëm pasi të miratohet një ligj nga Parlamenti shqiptar.

Vendimi

Burimet kanë bërë të ditur se projektligji mund të kalojë për miratim brenda muajit maj. Ndërsa në këtë rast mbetet diskutimi i tij në procedurë të përshpejtuar në Kuvend, duke parë se në fund të këtij muaji Kuvendi do të ndërpresë punimet për të startuar me fushatën elektorale, ku pritet që dhe problem i këtyre kategorive të jenë pjesë e premtimeve elektorale apo e dhënies së zgjidhjeve të ndryshme. Gjithsesi, prej 6 vitesh të dy partitë politike kanë bërë propozime dhe miratuar ligje për pensionet suplementare, të cilat ose janë shfuqizuar pa hyrë në fuqi, ose janë rrëzuar në gjykatën kushtetuese pas ankimit që kanë bërë ish-ushtarakët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›