E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, procedurat pas miratimit

01/04/2009  Kuvendi voton nesër projektin për dëmshpërblimin

Depozitimi i kërkesave dhe kategoritë përfituese

Seancën e nesërme Kuvendi ka planifikuar të miratojë ndryshimet në projektligjin për ish-të përndjekurit politikë. Me hyrjen në fuqi të këtij projekti, Ministria e Drejtësisë do të presë deri në korrik të këtij viti kërkesat për dëmshpërblim të atyre që kanë marrë njoftimin “negativ”, si dhe të familjarëve të atyre që janë ekzekutuar pa gjyq, të dënuarve në kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba dhe të afërmeve të klerit. Shpërndarja e fondit në mënyrë proporcionale sipas deklarimeve të qeverisë do të nisë menjëherë për 1440 persona, me vlerë 980 milionë lekë. Brenda muajit maj do shpërndahet edhe fondi i parashikuar për vitin 2009, rreth 25 milionë dollarë. Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të proporcionale për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 000 000 lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 lekë. Dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politik apo familjarëve përfitues, bëhen të disponueshme brenda 1 jave kalendarike nga çelja e tyre. Ministria e Financave njofton publikisht për çeljen e llogarive. Njoftimi shpallet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Në seancën e së hënës maxhoranca nuk arriti dot të miratojë e vetme, pa opozitën ndryshimet që ajo i ka bërë ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Gjatë seancës partia në pushtet arrit të miratojë në parim dhe nen për nen amendamentet e propozuara, por largimi nga salla i opozitës ka dështuar miratimin në tërësi të ligjit për shkak të mungesës së kuorumit. Mazhoranca ndërsa mbrojti fort projektin e saj, opozita e cilësoi atë projekt elektoral, të padrejtë dhe mbi të gjitha të pazbatueshëm.

Dokumentet

Certifikata e vdekjes së ish-të dënuarit politikë, dëshmia e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik, kopje e vlefshme e dokumentit të identitetit dhe certifikata e trungut familjar janë katër dokumentet që duhen depozituar në Ministrinë e Financave nga familjarët, kur ish-i dënuari politik ka vdekur ose vdes pas depozitimit të kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›