E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozita dhe opozita Pazar për ligjin monopol të auditimit

Banka Botërore dhe ministria e integrimit kundër këtij projektligji
Projektligji kritik për auditimin ligjor dhe ekspertët kontabël është diskutuar dje në Komisionin e Ekonomisë, ku si deputetët e pozitës ashtu edhe të opozitës, si rrallë ndonjëherë janë bërë bashkë dhe kanë shprehur qëndrim unik për të ndarë tregun ndërmjet tyre me një projektligj krejtësisht mafioz dhe që ligjëron vjedhjen dhe mashtrimin në interesa të një grupi të caktuar individësh, që 90 për qind janë të opozitës, dhe 10 për qind të pozitës. Klani mafioz Bode-Ruli-Rusmali duket më i fuqishëm se kurrë për të kaluar këtë projektligj që me miratimin e tij në mënyrë të fshehtë në qeveri e deri në hapat e radhës, në komisionin e ekonomisë. Deputetët e të dyja forcave të mëdha politike, pozitë-opozitë ndajnë interesa të përbashkëta në këtë projektligj, ku edhe pse brenda institutit të ekspertëve kontabël janë të ndërthurura interesat e opozitës, deputetët e mazhorancës e përkrahin këtë ligj për shkak të përkrahjes që vetë opozita i ka dhënë në disa ligje të tjera. Kështu, edhe me këtë projektligj është bërë mëse i qartë pazari pozitë-opozitë edhe në miratimin e projektligjeve të ndryshme, ku të dyja këto forca të mëdha politike mbrojnë interesat personale, me ligje krejtësisht abuzive. Nisur nga zërat kundër që janë shprehur ndaj projektligjit për auditimin ligjor dhe ekspertët kontabël, si Ministria e Integrimit, specialistë ekonomistë, Banka Botërore etj., duket fare sy projektligj nuk është gjë tjetër veçse një lojë e ndërthurur nga treshja qeverisëse Bode-Ruli-Rusmali dhe përfaqësuesit e opozitës. Vetë bashkëshortja e Ilir Rusmalit, Lindita Rusmali, drejtore Juridike pranë Ministrisë së Financave, njëkohësisht kryetare e Dhomës së Apelit për Disiplinën, pranë institutit IEKA, e ka mbrojtur dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë këtë projektligj, i cili sipas saj, projektligji parashikon dispozitat që të rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël, të shoqërive të auditimit, si dhe profesionin e kontabilistit të miratuar si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit. Por për këtë projektligj, ka shprehur rezerva dhe vetë komisioni i ekonomisë, ku pothuajse për të gjitha nenet e projektligjit është sugjeruar që të ndryshohen. Kështu, komisioni i ekonomisë ka sugjeruar që të ndryshojë emërtimi i projektligjit, duke hequr termat ekspert kontabël dhe kontabël i miratuar sepse bie në kundërshtim me direktivën e 8- të të BE-së dhe nuk e përfshin fare mbikëqyrjen në fushën e kontabilitetit nga ana e bordit mbikëqyrës për profesionin e auditimit ligjor. Po ashtu, sipas komisionit të ekonomisë, ka përplasje ligjore ndërmjet nenit 1 dhe 3 të këtij projektligji. Nga ky komision është kërkuar gjithashtu që neni 7-14 të hiqen pasi aty përcaktohen kompetencat e organizatave profesionale të cilat janë të përcaktuara në ligjin për OJF-të. Sipas nenit 32 të Direktivës së Tetë të BE-së, sistemi i mbikëqyrjes publike drejtohet nga persona që nuk e ushtrojnë profesionin. Prania e këtyre fjalëve krijon konflikt interesi dhe bie ndesh edhe me kompetencat që neni 5 i projektligjit ia atribuon Bordit të Mbikëqyrjes.
Sipas komisionit të Ekonomisë, rreth 70 për qind e projektligjit duhet të ndryshohet sepse bie në kundërshtim me Direktivën 8- të të BE- së.  
Banka Botërore, kundër projektligjit
Banka Botërore në strategjinë dhe plan veprimin për përmirësimin e raportimit financiar të Korporatës në Shqipëri, e cila u përfundua në muajin gusht nga Banka Botërore, duhet të kishte kaluar në parlament në muajin nëntor. Por në kundërshtim me këtë strategji dhe për interesa të tjera private, Ministria e Financave hartoi një projektligj në kundërshtim me rekomandimet e Bankës Botërore dhe me direktivën e 8 të BE-së. Sipas Bankës Botërore duhet të ngrihet një qendër e re që duhet të merret me përgatitjen dhe kualifikimin e kontabilistëve dhe audituesve të ardhshëm. Kjo qendër duhet të zhvillojë një kurrikul të re dhe më pas në bazë të kësaj kurrikule duhet të krijohet procesi i vlerësimit. Kurse për organizmat profesionalë, BB thotë që duhet tëe organizohet një proces tenderimi i hapur për licencimin e organizmave profesionalë dhe jo licencimin me ligj të një organizmi të vetëm. Në këtë raport, BB ka bërë vërejtje serioze për IEKA-n dhe ka kërkuar rishikimin e procedurave të marrjes së titullit ekspert kontabël si dhe transparencën e mbikqyrjes. Ndërkaq, përfaqësues të Bankës Botërore kanë kontaktuar dje me përfaqësuesit e organizmave profesionalë të auditimit, duke shprehur shqetësimin e tyre për projektligjin që është në kundërshtim me rekomandimet e tyre dhe direktivën e 8 të BE- së. Gjithashtu,  përfaqësuesit e BB-së janë shprehur se do të marrin kontakt të menjëhershëm me Ministrinë e Financave, për t'iu kërkuar që të mos lejojnë që ligji të shkojë në parlament.          
Relacioni i ministrisë së Integrimit
I nderuar z. Ministër.
Në përgjigje të shkresës suaj Nr. 13269, datë 18.12.2008, në lidhje me dhënien mendim mbi projekt-ligjin Për auditimin Ligjor, Organizimin e Profesionit të Eksperteve Kontabël dhe të Kontabilistit të Miratuar, vërejmë se; Projektligji në formën që është paraqitur pranë Ministrisë së Integrimit nuk respekton kriteret e përcaktuara në VKM-në 201, 29.03.2006 Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM-në Nr. 584 datë 28.08.2003, Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave", konkretisht për sa i takon tabelës së përputhshmërisë. Rregullimi i mbikëqyrjes publike të auditimit ligjor është një kërkesë e vazhdueshme e palës evropiane në dokumentet e saj drejtuar Shqipërisë ashtu si edhe në Grupet e Punës BE-Shqipëri. Projektligji në fjalë shkon në kundërshtim me direktivën 2006/43/EC për disa arsye. Duke marrë në konsideratë defektet që prezanton ligji në tërësinë e vet sugjeroj që, ligji të rikonceptohet nga e para me qëllim ngritjen e një autoriteti mbikëqyrës të vetëm. Për sa më sipër shprehemi se projektligji nuk mund të kalojë për miratim pa evituar papajtueshmëritë e sipërcituara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›