Deputeti i PD, dëshmitar për bandën e Aldo Bares
TIRANE- Gjykata e krimeve të rënda ka vendosur të thërrasë si dëshmitar në proces Deputetin e PD-së, Ilir Bano. Kërkesa për thirrjen e Banos u bë nga avokati i të pandehurit Arben Borici, pasi dëgjoi dëshminë e një qytetari lushnjar që fliste për një takim mes Borcit dhe Ilir Banos në qytetin e Lushnjës. Qytetari tha se kishte dëgjuar që Borici i kërkonte deputetit ti nxirte në Gazeta dhe Televizione se ishin mbrojtësit e rendit dhe qetësisë në Lushnjë, gjatë trazirave të vitit 1997. Trupi gjykues mori parasysh kërkesat e palës mbrojtëse që Bano të dalë të dëshmojë në gjyq. Gjykata pritet të dërgojë fletëthirrjen për deputetin Bano, i cili pritet të dëshmojë lidhur me atë cka diskutuar me Boricin. Të pandehur në këtë proces janë Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stergu, Agur Musaku, Erion Cici, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryer vite më parë në Lushnje, mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata ka shtyrë seancat për arsye te mungesës së avokatëve si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish- bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi.
Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.
(e.n/news24/Balkanweb)