E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi, ku veç fitorja sjell gëzim

I madh e i vogël në Gjilan vëmendjen e kanë te derbi i rivalëve të përbetuar, Gjilanit dhe Dritës. Të dyja ekipet do të përballen mes veti në super-derbin e xhiros së 20-të të Superligës, i cili konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë në futbollin kosovar. E, në kësi rivaliteti, natyrisht që ekipet luftojnë vetëm për fitore. Të dielën ndeshje interesante do të luhet edhe në Gjakovë.

Xhiroja e 20-të e Raiffeisen Superligës në futboll do të sjellë super-derbin ndërmjet dy rivalëve të qytetit, Dritës dhe Gjilanit.

Se sa i madh është ky derbi, më së miri e vërteton edhe fakti se tash e disa ditë qyteti i Gjilanit ka filluar të bëhet gati për këtë ndeshje, pasi gjithandej shihen vetëm flamuj të ‘Skifterave’ të Gjilanit dhe të ‘Intelektualëve’ të Dritës.

E në kësi rivaliteti, natyrisht që ekipet luftojnë vetëm për fitore. Drita e cila gjendet në pozitën e katërt në renditjen tabelore me 32 pikë të tubuara, synon fitoren e parë në stinorin pranveror, e cila do ta mbajë edhe më tej në garë për titull.

“Ky derbi është më i veçanti në Kosovë. Njerëzit në Gjilan jetojnë për këtë derbi. Nuk e kemi nisur mirë sezonin pranveror, por jemi të motivuar që ta shënojmë fitoren e parë, edhe atë si vendas, pikërisht në këtë derbi për ta vazhduar rrugëtimin drejt titullit”, ka thënë për Express mbrojtësi i Dritës, Erdin Hashani.

Në anën tjetër, skuadra e Gjilanit nuk i ka punët edhe aq mirë, pasi gjenden në pozitën e parafundit në renditjen tabelore me vetëm 19 pikë të tubuara. Megjithëkëtë, gjilanasit thotë se në kësi derbi nuk ka rol pozicionimi në tabelë.

“Jemi shumë të përgatitur. Si asnjëherë më parë, jemi shumë të motivuar edhe psiqikisht për këtë derbi. Kur, Gjilani luan ndaj Dritës, forma aktuale e ekipeve, pozicionimet e tyre në tabelë dhe objektivat, të gjitha bien poshtë. S’ka favorit. Por ne kemi shumë vetëbesim dhe jemi shumë optimistë se do të shënojmë fitore”, deklaroi kapiteni i Gjilanit, Alban Hyseni.

Po të dielën do të zhvillohet ndeshje interesante edhe në Gjakovë, ndërmjet kandidatit për titull të kampionit Vëllaznimit dhe Besës, e cila po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme në stinorin pranveror.

Në anën tjetër, kampioni aktual i Kosovës, Hysi do të synojë fitoren e parë në pranverë, përballë Trepçës. Ndërsa Trepça ’89, e cila po synon titullin, pret fitore përballë Lepencit në Mitrovicë.

Superliga – xhiroja e 20-të

E diel

Drita – Gjilani 13:15

Vëllaznimi – Besa 14:00

Trepça ’89 – Lepenci 14:00

Hysi – Trepça 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›